Nga Fatjon Baze
“Tifozat Kuq e Zi” kanë vendosur që të bojkotojnë kombëtaren shqiptare në të gjitha sfidat që do të luajë në shtëpi, për shkak të terrorit që ndaj tyre është ushtruar në ndeshjen e fundit (dhe jo vetëm) që u zhvillua në “Elbasan Arena” kundër Izraelit. Personalisht mendoj dhe i mbështes në këtë vendim që ata kanë marrë i cili duket më e pakta që ata mund të bëjnë si kundërpërgjigje ndaj dhunës.
Ata ishin njerëzit që u torturuan më së shumti në atë takim duke u detyruar që të futen në stadium për rreth 4-orë përpara se të niste ndeshja. U torturuan nga ana e punonjësve të policisë duke i bërë një kontroll të imtë, a thua se ishin terroristë dhe jo tifozë. U torturuan duke qëndruar në rradhë të gjata, të futur mes disa skelave, ku për një tifoz duhej minimalisht 5-minuta që të kalonte. U torturuan nga shiu dhe i ftohti atë ditë në Elbasan vetëm për një qëllim, për të mbështetur kombëtaren e tyre të zemrës, Shqipërinë!
A e meritojnë atë një sjellje të tillë shtetërore? Abosolutisht që jo!
A është normale t’i trajtosh tifozat e t’u si terroristë, vetëm për dënglat e një kombëtareje që gjoja ndihej e kërcënuar nga sulmet terroriste?
A nuk ishin po këta tifozë që në Francë dhuruan një spektakël që bëri xhiron e mediave botërore?
A nuk ishin po këta tifozë që udhëtuan deri në Francë dhe u futën lirshëm nëpër stadiume dhe askush nuk i mori si terroristë?
Nese kishte një arsye që mediat e huaja shkruajtën që Kombëtarja Shqiptare duhet të qëndronte dhe më shumë në Europian, ishte vetëm fakti që kishte një tifozeri spektakolare.
E pra, për të huajt që nuk kanë shumë informacion për ne, ishim shembull, ndërsa në vendin tonë ata trajtohen si terroristë, duke u detyruar që të “zhvishen” para se të hynë në stadium.
Dhe jo më kot, në vendimin e tyre tifozët kanë vendosur që kombëtaren ta mbështesim vetëm atje ku ata respektohen.
Ky është një turp për të gjitha instancat e shtetit shqiptar, që një atmosferë festive siç janë ndeshjet e përfaqësueses, e kthejnë në një atmosferë frike sa herë një kombëtare e huaj ka dënglat e saj në ndeshjet që do të luajë në Shqipëri.
Ndaj, bojkotimi i “Tifozave Kuq e Zi” është një humbje e madhe, si për kombëtaren shqiptare, ashtu edhe për teleshikuesit që kënaqen nga atmosfera që ata krijojnë në shkallët e stadiumit.
Të humbësh tifozerinë më të zjarrtë do të thotë që në rradhë të parë se t’i si Federatë ke prekur fundin. Federata jonë asnjëherë nuk u ka dalë në krah; asnjëherë nuk i ka mbështetur tifozët në nismat që atë marrin; asnjëherë nuk i ka ofruar kushte komode, por vetëm i është përgjigjur me çmimet e kripura të biletave.
Pashë dhe reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit që i bënte thirrje atyre që të ktheheshin në stadium pasi skuadra do të ngelej pa lojtarin e 12-të…
Nuk ishte gjë tjetër veçse një lutje e shpifur. Dhe hallin nuk e kanë tek ikja e tifozave, por për dëmin financiar që do t’i shkaktohet FSHF-së pasi do t’u ngelen biletat në dyqan!
Diskutime rreth kësaj post