Papa Françesku ka firmosur këtë të enjte emërimin e Imzot George Ferndos në detyrën e Arqipeshkvit të Arkidoqëz Metropolite Tiranë-Durrës, vend ky i mbetur bosh prej 11 muaj, që nga ndarja nga jeta e Imzot Rrok Mirditës.
Dekretin papal e lexoi i ngarkuari me punë i Nunciatës Apostolike në Tiranë, Imzot Romano. “Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se ati i shenjtë Papa Françesku ka emëruar në detyrën e Arqipeshkvit të Arkidoqëz Imzot George frendo”, tha Romano.
Në fjalën e tij të parë, Imzot Frendo falenderoi Papa Françeskun për emërimin dhe nuk la pa përmendur dhe rolin e madh të Imzot Rrok Mirditës në ringritjen e Kishës Katolike.
“Shpresa ime është Zoti. Shpresa ime jeni edhe ju, që gjatë viteve që kam qenë dora e djathtë e të ndjerit Imzot Rrok Mirditës gjithmonë keni treguar një respekt të madh ndaj meje, më shumë sesa e meritoja. Lutem që shenjtërimi i Nënë Terezës dhe i martirëve në Shqipëri të ndërmjetësojnë për mua para Zotit, që Ai të jetë drita ime në zbatimin e misionit”, tha Imzot Frendo.
Ceremonia zyrtare për emërimin e Imzot Frendos pritet të mbahet më datë 3 dhjetor në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.
Diskutime rreth kësaj post