Presidenca kërcënon Kuvendin dhe Ministrinë e Financave se do ta dërgojë buxhetin 2017 në Gjykatën Kushtetuese. Në një situatë të paprecedentë, Bujar Nishani, nëpërmjet drejtorit të tij të kabinetit, Florjan Nuri, ka paralajmëruar se nëse as këtë vit nuk merr rritjen prej 20 milionë lekësh shtesë mbi atë që Ministria e Financave kishte parashikuar për funksionimin e këtij institucioni, do të ankimojë buxhetin në Kushtetuese.
“Është një situatë që përsëritet prej disa vitesh, na vështirëson punën e institucionit. Nëse nuk na jepni lekët, do ankimojmë Buxhetin në Gjykatë kushtetuese”u shpreh Nuri në Komisionin e Ligjeve, ku institucionet kushtetuese diskutojnë mbi buxhetin që financat i kanë akorduar.
Kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj iu kundërpërgjigj: “E tepruat , nuk jeni ankuar kur e keni pasur buxhetin minimal. Këtë vit keni rritje të konsiderueshme. Kur ta çoni në Kushtetuese na njoftoni”.
Paratë shtesë Presidenca i kërkonte për të shlyer borxhin e akumuluar prej vitesh prej 14 milionë lekësh, nga udhëtimet e kreut të shtetit jashtë dhe vizitat e personaliteteve të huaja të pritura nga Nishani.
Një pjesë e parave do të shkonin dhe për rikonstruksionin e zyrës së kreut të shtetit. Ndërsa 10 milionë të tjera jashtë këtij fondi, kërkoheshin për ceremoninë e ndërrimit të presidentëve në 2017n.
Këtu ka kundërshtuar menjëherë Ministria e Financave sipas të cilës, ky aktivitet nuk është mbuluar asnjëherë nga shpenzimet e Presidencës por Fondi i Kontigjencës.
“Presidenca në buxhetin e 2017 –s ka një fond prej 41 milion lekësh. Ceremoniali i ndërrimit të presidentëve, përballohet nga fondi rezerve jo presidenca” u shpreh përfaqësuesja e Ministrisë.
Në krah të kërkesës për shtesë fondesh të presidentit doli LSI e PD. “Hiqni 34 palma dhe plotësojani kërkesat presidentit” u shpreh Eduard Halimi. I pasuar nga Petrit Vasili, i cili tha: “Këto janë shifra qesharake, turp që vjen deri këtu biseda”.
Në buxhetin e shtetit fondi për presidencën është 201 milionë, ndër to për shpenzime kapitale, ku përfshihen rikonstruksionet dhe blerjet e objekteve, shkojnë në 5 milionë.
Diskutime rreth kësaj post