Partia Demokratike vijon të kërcënojë se do të bojkotojë Kuvendin dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje me këtë qeveri dhe Ramën kryeministër.
Kjo është bërë me dije nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
“PD ka tashmë të përcaktuar një objektiv; garantimin me çdo mënyrë të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë kuadër që në qershor, ne paraqitem dhe dhjetë pika për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Rama u deklarua kundër këtyre ndryshimeve që në fillim, duke vërtetuar se nuk ka asnjë vullnet për realizimin e zgjedhjeve të lira. Zgjedhjet e Dibrës ishin ato që e mbyllën përfundimisht këtë çështje.
Për këtë arsye PD ka bërë të qartë se do të përdorë të gjithë arsenalin për të shkuar në zgjedhje pa Ramën dhe qeverinë e tij si garancia e parë për zgjedhje të lira. Në këtë aspekt edhe dalja përfundimtare nga Parlamenti është një prej opsioneve dhe mjeteve që mund të gjykohen të nevojshëm…”, tha Paloka, në një prononcim për Mapo-n.
Por, aleati i PD-së, deputeti Dashamir Shehi, që drejton LZHK-në, e konsideron absurd idenë për të braktisur Kuvendin.
“Së pari, jam kundër bojkotit në princip.
Së dyti, nuk shikoj ndonjë ndryshim ekstrem nga dje në sot që duhet të largohemi.
Ka pasur momente që jemi larguar për disa motive të caktuara, që ndoshta edhe ia ka vlejtur, por tani nuk shoh të tillë.
Së treti, në rrafshin praktik po afrohemi në diskutimin për Kodin Zgjedhor dhe për disa interesa që i kemi tonat direkt ato duhet të mbrohen në Kuvend. Sepse ndryshe po dorëzuam edhe Kuvendin do të kishte pak vlerë kjo luftë.
E katërta, them se me bojkotin ne i heqim vetes një armë të rëndësishme. Një ushtar ka edhe heshtën, edhe shpatën, edhe shigjetën.
Ç’kuptim do të kishte nëse do t’i hiqnim vetes një armë që kemi në dorë. Sepse protesta është aty duke qenë edhe në Kuvend, media është aty duke qenë edhe në Kuvend, kontakti me njerëzit mund të bëhet gjithashtu duke qenë në Kuvend. Nuk e kuptoj pse nuk u dashka prania jonë atje.
Kuvendi është akoma një tribunë dhe një arenë e madhe për të denoncuar bëmat e qeverisë, për të afruar alternativat që ne kemi. Është edhe një raport i përjavshëm me qytetarin në gjithë Shqipërinë që akoma dëgjon politikë përmes Kuvendit. Kështu që ideja për t’u larguar më duket e gabuar…”, tha Shehi për Mapo-n.
Diskutime rreth kësaj post