Europa kërkon vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Uashingtonin. Kështu u shpreh përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, lidhur me zgjedhjen e Donald Trumpit president.
Ministrat u shprehën të interesuar të mësojnë detajet e planeve të udhëheqësit të ri amerikan, e megjithatë presin që raportet të jenë të mira.
“Ne po presim me padurim një partneritet shumë të fortë me administratën e re amerikane. Kemi vendosur së bashku të bashkëpunojmë me të, që në javën e parë të ndryshimit të presidencës”, tha Mogherini.
Europianët duhet të demonstrojnë unitet në tema të rëndësishme, si në marrëveshjen e klimës, ashtu dhe në zbatimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Të dyja marrëveshjet, Donald Trump i vuri në pikëpyetje gjatë fushatës elektorale dhe, në muajt e fundit, ai i preku europianët me deklaratat e tij për Rusinë dhe për rolin e NATO-s.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier u shpreh në takim se Europa nuk e di se çfarë të presë nga republikani, ndërsa ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz tha se, pavarësisht ndryshimeve që mund të ketë, unioni duhet të jetë vet më i fortë dhe kjo – sipas tij, – vlente që para zgjedhjeve në SHBA.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deklarata e homologut belg, Didier Reynders, sipas të cilit, pavarësisht planeve të qeverisë amerikane, Europa duhet të bëjë më shumë në fushën e sigurisë dhe të mbrotjes.
Megjithatë, në Europë nuk janë të gjithë në një mendje lidhur me zgjedhjen e Trumpit. Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson nuk mori pjesë në takimin e së dielës, pasi e konsideron si negativ reagimin e Europës ndaj presidentit të zgjedhur. Në takim munguan gjithashtu ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, dhe ai hungarez, Peter Szijjarto, me këtë të fundit që kritikoi histerinë ndaj fitores së miliarderit.
Qëndrimet e tyre bien në kundërshti me komentet e presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker, i cili paralajmëroi të premten se zgjedhja e Trumpit rrezikonte të dëmtonte lidhjet BE-SHBA në thelb e në strukturë.
Diskutime rreth kësaj post