Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi priti në një takim kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, si dhe nënkryetarin Kristo Kiço.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, u bisedua për arritjet në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, për shkëmbimin tregtar ndërmjet dy shteteve, si dhe për mbështetjen në sektorin e bujqësisë.
“Qeveria e Kosovës, në udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa është e përkushtuar që të avancojë maksimalisht shkëmbimin tregtar mes dy shteteve. Në këtë kontekst, ne biseduam me kryetaren e Bashkisë së Sarandës, një prej zonave prodhuese, që t’i ftojmë qytetarët të konsumojnë maksimalisht produktet e prodhuara në Sarandë dhe në Shqipëri, në përgjithësi”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Më tej, Kelmendi kërkoi që produktet e prodhuara në Kosovë të gjejnë një ambient dhe ekspozim të duhur në Sarandë, në mënyrë që edhe ato të konsumohen. “Ne së bashku duhet të ndërtojmë një treg unik, për të cilin nuk na pengon askush. Ky treg duhet të jetë tregu i fuqizimit të prodhimtarive të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha zëvendëskryeministri kosovar.
Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, nga ana e saj kërkoi më shumë bashkëpunim edhe në fushën e ekonomisë.
“Kemi ardhur në Prishtinë së bashku me një ekip nga Bashkia e Sarandës, drejtues të bizneseve dhe sipërmarrës të sferave të ndryshme të biznesit, për të bërë një prezantim të asaj se çfarë mund të bëjmë ne në këtë drejtim dhe për të marrë një shije të të gjithë investitorëve e biznesmenëve të Kosovës, për të shtuar këmbimet e deritanishme”, tha kryebashkiakja Koka.
Koka falënderoi shqiptarët nga Kosova, që këtë verë – siç edhe në vitet e kaluara, – zgjodhën t’i kalojnë pushimet verore në Sarandë, duke sfiduar distancat e largëta, por edhe duke sfiduar mosnjohjen e terrenit.
Diskutime rreth kësaj post