Kryeministri Edi Rama njoftoi me anë të një postimi në Facebook se në mëngjesin e punës me vendet anëtare në Bruksel “u fol me tonet më pozitive për Raportin e Progresit dhe u konfirmua vullneti i vendeve anëtare për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave per anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
“U nënvizua nga të gjitha vendet anëtare progresi i madh që pasqyrohet në Raportin e Komisionit; ecuria mbresëlënëse e reformave; respekti i veçantë për politikën rajonale të Shqipërisë; nevoja imediate për zbatimin e Ligjit të Vetingut si premisë e mirëkuptuar apo kusht i natyrshëm për ecurinë e këtij procesi historik”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë falenderoi shefen e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini dhe Komisionerin Johannes Hahn, “dy miq të posaçëm e partnerë të çmuar të Shqipërisë në këtë proces”.
Gentiloni dhe Kurz: Shqipëria, reforma dhe progres
Ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni dhe ai i Austrisë, Sebastian Kurz, dy nismëtarët e takimit “Miqtë e Shqipërisë” të zhvilluar sot në Bruksel kanë vlerësuar gjithashtu reformat e qeverisë shqiptare.
“Jemi shumë të kënaqur për nismën e promovuar nga Austria dhe Italia, vende mike të Shqipërisë. Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim të Këshillit Europian për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se në Shqipëri janë bërë shumë reforma dhe shumë progres. Progresi i këtyre reformave ishte konkluzioni i përbashkët në tryezën “Miqtë e Shqipërisë”. Ky është një lajm i mirë për procesin”, ka deklaruar Gentiloni.
“I jemi mirënjohës kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për gjithë reformat e bëra në Shqipëri. Gjithashtu i jemi mirënjohës Shqipërisë për rolin pozitiv dhe konstruktiv që po luan në rajon. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ne”, ka thënë Kurz.
Diskutime rreth kësaj post