Në një intervistë për revistën MONITOR ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi shpjegon me detaje se si do të kryhet vlerësimi i strukurave akomoduese në sektorin e turizmit. Standardet e reja që synohen të vendosen janë shumë të përafërta me ato ndërkombëtare. Zbatimi i tyre thekson ministrja e Ekonomisë do të jetë një hop i ndjeshëm cilësor i ofertës sonë turistike. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se aktualisht operojnë rreth 850 struktura akomoduese që do të përfshihen në këtë proces vlerësimi. Për këtë do të angazhohen një numër i mjaftueshëm personash në terren, të cilët do të verifikojnë përmbushjen e standardeve. Gjithashtu do të licencohen rreth 690 agjenci turistike dhe tur-operatorë.
Qeveria, së fundmi, miratoi aktet nënligjore që i hapin rrugë zbatimit të ligjit të ri të turizmit të miratuar në vitin 2015. Përse kjo vonesë në miratim, kur dihet nevoja emergjente që ka sektori për të zbatuar standardet?
Ligji ka hyrë në fuqi në fillim të tetorit 2015 dhe parashikonte nxjerrjen e më se 27 akteve nënligjore (vendime qeverie, udhëzime të ministrit, rregullore, urdhra), disa prej të cilave të përbashkëta me ministri të tjera. Hartimi i akteve nënligjore dhe konsultimi i tyre me grupet e interesit, institucionet dhe ekspertët e fushës ishte një proces të cilit iu kushtua një vëmendje dhe seriozitet i veçantë. Numri i konsultimeve publike të realizuar në lidhje me aktet nënligjore në zbatim të ligjit të Turizmit 93/2015, është 24. Këtu përfshihen takimet konsultative me Komitetin Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit (KKSPT), takime me Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA), Unionin e Operatorëve Turistikë Shqiptarë (UOTSH), Shoqatën Shqiptare të Tur-operatorëve dhe Agjencive Turistike, GIZ Albania etj. Po kaq vëmendje iu kushtua mbledhjes dhe shqyrtimit të vërejtjeve dhe sugjerimeve nga të gjithë aktorët. I gjithë ky proces mbështeti hartimin dhe miratimin e këtyre akteve rregullatore, të cilat do ta bëjnë të zbatueshëm ligjin. Gjithashtu, afati i parashikuar për nxjerrjen e akteve përkonte me fillimin e përgatitjeve të sezonit turistik. Gjatë procesit të përmendur më sipër, pati një kërkesë të përsëritur të sipërmarrjes turistike që nxjerrja e këtyre akteve të mos përkonte me fillimin e sezonit turistik veror, duke qenë se këto akte parashikojnë standarde, masa dhe investime të cilat kërkojnë kohë për t’u implementuar në praktikë. Zbatimi i tyre në fillim të sezonit turistik veror, do ta fuste në ngërç, duke kërkuar aplikimin e rregullave të ndryshuara në një kohë të papërshtatshme për sipërmarrjen.
A do të mund të nisë zbatimi i menjëhershëm i tyre dhe a mund të ndihen efektet e tij gjatë vitit të ardhshëm?
Aktualisht janë në fuqi thuajse të gjithë aktet nënligjore të parashikuar nga ligji “Për turizmin” dhe janë paraqitur në qeveri për t’u miratuar edhe aktet të cilat mbyllin procesin e plotësimit me aktet nënligjore të ligjit. Vlerësojmë se janë të gjitha mundësitë dhe afati është i mjaftueshëm që sezoni i ardhshëm turistik të nisë sipas standardeve dhe rregullave të reja, dhe ligji aktual të jetë tërësisht i zbatueshëm. Këtu do të doja të ndalesha pak. Bëhet fjalë për një proces shumë të rëndësishëm, i cili do të drejtojë “Destinacionin Shqipëri” drejt cilësisë. Standardet e reja që synohen të vendosen janë shumë të përafërta me standardet ndërkombëtare. Zbatimi i tyre do të jetë një hop i ndjeshëm cilësor i ofertës sonë turistike. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se aktualisht operojnë rreth 850 struktura akomoduese që do të përfshihen në këtë proces vlerësimi. Për këtë do të angazhohen një numër i mjaftueshëm personash në terren, të cilët do të verifikojnë përmbushjen e standardeve. Gjithashtu do të licencohen rreth 690 agjenci turistike dhe tur-operatorë.
Çfarë sjellin rregullat e reja për tre sektorët: hoteleri, tur-operator, guida? Si pritet të “disiplinohet” tregu? A do të sjellë zbatimi i tyre kosto shtesë për sipërmarrjen?
Rregullat e reja vendosin standarde që përmirësojnë ofrimin e shërbimit në këta tre sektorë, në disa aspekte:
Së pari, ofrohet një shërbim më cilësor për turistët, si për shembull për udhërrëfyesit kërkohet formim profesional në fushën përkatëse që operojnë, zotërimi i mirë i gjuhës së huaj. Ndërsa për strukturat akomoduese, sistemi i klasifikimit nëpërmjet kritereve të detyrueshme dhe atyre me zgjedhje synon nxitjen e strukturave akomoduese për përmirësimin e shërbimit të ofruar.
Së dyti, formalizohet tregu, pasi do të kemi të dhëna të sakta mbi sipërmarrësit që operojnë në treg. Kështu për udhërrëfyesit, edhe për ata që veprojnë në mënyrë të pavarur nga ndonjë operator turistik, kërkohet regjistrimi i tyre tregtar dhe nënshkrimi i një kontrate me grupin turistik që do të shoqërojë.
Së treti, nëpërmjet rregullave të reja ka mbrojtje më të mirë të konsumatorit. Ndër të tjera, rregulloret parashikojnë kushtet kontraktuale që duhet t’i bëhen të njohura konsumatorit, operatorët turistikë detyrohen të sigurohen për përgjegjësinë ndaj palëve të treta. Lidhur me sektorin e hotelerisë, nëpërmjet sistemit të klasifikimit të bazuar në atë të përdorur në vende të tjera europiane, bujtësit e kanë më të lehtë të identifikojnë cilësinë e shërbimit që kërkojnë të marrin dhe të mbeten të kënaqur për çmimin që paguajnë. Konkretisht, një hotel me 5 yje do të ofrojë shërbime që i përgjigjen këtij standardi, i cili do të jetë i njëjtë me shërbimin e ofruar nga një hotel me 5 yje në vendet e Bashkimit Europian.
Së fundmi, krijohet një klimë e konkurrencës së ndershme midis sipërmarrësve turistikë, një konkurrencë cilësore, mbi standarde transparente dhe të njohura nga të gjithë operatorët e tregut.
Për sa u përket kostove për biznesin, ato janë parashikuar të jenë minimale. Kriteret e detyrueshme që duhet të plotësojnë sipërmarrësit janë përcaktuar, duke marrë në konsideratë edhe kostot që do të kishte për biznesin. Janë vendosur kritere që janë konsideruar të domosdoshme për ruajtjen e cilësisë së shërbimit, sigurinë e turistëve dhe krijimin e disa standardeve minimale në turizëm. Kështu, kur janë përcaktuar kriteret e detyrueshme dhe ato me zgjedhje për klasifikimin e hoteleve, një nga faktorët e marrë parasysh janë kostot potenciale për përmbushjen e tyre. Për njësitë akomoduese që kërkojnë një nivel klasifikimi që tregon se ofrohet një shërbim më luksoz, natyrisht kostot e përmbushjes së këtyre kritereve janë më të larta. Tarifat administrative për shqyrtimin e aplikimeve janë minimale. Për strukturat akomoduese ka një tarifë aplikimi simbolike prej 100 lekësh dhe tarifë të verifikimit në terren, e cila është përcaktuar sipas kategorisë së strukturës akomoduese, përfshi kapacitetin e saj. Për financimin e procesit për herë të parë, krahas mbulimit të kostos nga tarifat që do të paguhen nga subjektet, kemi kërkuar edhe asistencën e donatorëve të huaj për të na mbështetur në këtë proces të rëndësishëm për turizmin shqiptar.
A ka një periudhë “tranzitimi” për zbatimin e këtyre akteve?
Zbatimi i rregullave të reja dhe aplikimi i standardeve të reja, kërkon kohën e saj. Duke pasur parasysh kriteret për përmbushjen e standardeve të reja, vlerësojmë se nisja e procesit në momentin aktual të vitit do të krijojë mundësi që në sezonin e ardhshëm veror turistik do të sigurojë sukses.
Përfaqësuesit e shoqatave të turizmit shpesh kanë ngritur shqetësimin se këto akte janë të paplota, duke qenë se ligji është i tillë? Cilat janë argumentet tuaja?
Procesi i hartimit dhe përgatitjes së akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri për turizmin, ka mundësuar përfshirjen në debate e diskutime të një numri të madh institucionesh, specialistësh, shoqatash apo subjektesh të tjera. Të gjitha qëndrimet e tyre janë konsideruar, janë analizuar dhe ato që kanë qenë të argumentuara, konstruktive dhe në përputhje me frymën e ligjit, kanë gjetur pasqyrim në aktet që janë miratuar. E gjithë kjo punë është e dokumentuar. Por mund të kuptohet dhe nga përmasat e procesit ka pasur dhe sugjerime që nuk i shërbenin objektivisht atij dhe për këto janë dhënë sqarimet përkatëse në relacionet që kanë shoqëruar draftet e akteve nënligjore.
Një nga çështjet më të debatuara, më komplekse dhe që do të kërkojë kohë është klasifikimi dhe standardizimi i hoteleve shqiptare. Edhe për këtë, bizneset kanë pasur kundërshtime, duke sqaruar se nga ana e ministrisë janë vendosur kritere më të larta dhe se vetë ato të BE-së. A qëndrojnë këto konstatime dhe cilat janë argumentet tuaja?
Gjatë procesit të punës për përcaktimin e kritereve të vlerësimit për strukturat akomoduese është pasur parasysh që ky sistem vlerësimi të garantonte suksesin e implementimit të tij. Sikurse e dini ka ekzistuar edhe në ligjin e mëparshëm për turizmin, sistemi i vlerësimit me yje, por nuk u zbatua kurrë ose në rastin më të mirë, u abuzua. Të gjithë jemi dëshmitarë të vendosjes së yjeve sipas dëshirës, dhe pa asnjë lidhje me standardin që ofrohej. Për hartimin e drafteve të akteve nënligjore ka pasur konsulta të organizuara me të gjithë aktorët e fushës; nga sektori publik, privat dhe shoqëria civile. Por natyrisht Shoqata e Hotelerisë ishte ajo që u konsultua në mënyrë më intensive. Për hartimin e këtij drafti janë studiuar në mënyrë krahasuese kriteret e vlerësimit për klasifikimin e strukturave akomoduese të aplikuara nga Unioni Hotelstars. Ky sistem klasifikimi, i cili adopton 21 parimet e HOTREC, rrit reputacionin dhe cilësinë e industrisë hoteliere në vendet që e zbatojnë, duke krijuar transparencë dhe siguri për bujtësit.
Duke qenë se sistemet e klasifikimit të hoteleve janë nacionale, është parashikuar një set kriteresh, të cilat do të garantojnë ofrimin e shërbimeve të nivelit të vendeve europiane, duke konsideruar realitetin shqiptar. Në përgjithësi, skema e implementimit të këtij sistemi është miqësore, pa cenuar standardet që synojmë të arrijmë.
Kur do të mund të fillojë procesi i klasifikimit, si do të bëhet, nga do të nisë, cilët hotele do të ‘futen’ në sitë të parët?
Ky proces po bëhet gati të nisë. Ai ka disa hapa. Së pari, ministria bën të njohur në të gjitha qarqet për SA që operojnë në zonë procesin dhe mënyrën e aplikimit. Procesi i klasifikimit fillon nga vetë sipërmarrësi që operon në strukturën akomoduese, nëpërmjet vetëdeklarimit online mbi një platformë të ngritur nga MZHETTS. Sipërmarrësit do të vetëdeklarojnë standardet që përmbushin strukturat e tyre akomoduese. Më pas do të bëhet verifikimi i deklarimit në terren, nëse struktura i përmbush vërtet standardet e vetëdeklaruara duke ballafaquar atë ç’është deklaruar me realitetin e gjetur në terren. Komisioni i Standardizimit që do të funksionojë në Ministrinë përgjegjëse për Turizmin, mbi bazën e përputhshmërisë do të vendosë për standardin që do të ketë struktura akomoduese. Po merren të gjitha masat që ky proces të jetë objektiv dhe transparent. E gjej me vend të përmend që gjatë konsultimeve me aktorët kryesorë, si për shembull shoqatat e hotelerisë, ato janë shprehur se sipërmarrësit turistikë janë vetë të interesuar që struktura e tyre akomoduese të ketë një nivel klasifikimi me yje si në shumicën e vendeve europiane, çka i lejon ata të rankohen edhe në faqet e rezervimit të hoteleve online dhe pranë agjencive të huaja të udhëtimit. Klasifikimi i strukturave akomoduese me sistemin e yjeve u jep atyre mundësinë të konkurrojnë në bazë të rregullave dhe standardeve transparente, duke i inkurajuar të rrisin cilësinë e shërbimit të tyre.
Cilat janë garancitë që japin këto akte për të shmangur abuzimet që mund të lindin?
Nisur nga fakti që ato parashikojnë standarde, rregulla që garantojnë transparencë dhe që do të mbikëqyren nga struktura të specializuara të ministrisë sonë, në bashkëpunim edhe me organizata ndërkombëtare, por dhe nga fakti që për të kontrolluar zbatimin e rregullave të parashikuara lidhur me ligjin e turizmit, po ngrihet Inspektorati i Turizmit. Ne kemi bindjen se do të shmangim abuzimet.
Biznesi vazhdimisht ka qenë në pritje për lehtësitë fiskale që do të ndihmonin në rritjen e konkurrencës, a do të mund të ketë ndonjë rishikim në Paketën Fiskale 2017?
Duhet përmendur se qeveria shqiptare aktualisht, ofron një numër incentivash, të cilat kanë për qëllim lehtësimin fiskal të biznesit edhe në industrinë e turizmit. Nëse do të marrim investimet në turizëm, investitorët nëpërmjet dy ligjeve, atij “Për turizmin” dhe atij “Për investimet strategjike”, për shembull siç është procedura “fast track”, vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, pasuri shtetërore nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro, hapësira plazhi në raport me kapacitetin e strukturës akomoduese, së fundmi janë iniciativat pilot për mbështetje financiare në rikonstruksionin e shtëpive tradicionale në disa zona të vendit për t’i kthyer në struktura akomoduese.
Ose disa masa të tjera lehtësuese për veprimtarinë turistike siç janë: ulja e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, ulja e taksës lokale të fjetjes në hotel, mbështetja financiare nëpërmjet fondit të projekteve në turizëm, mbështetja e shpenzimeve për trajnim, financimi i shpenzimeve për pagën minimale deri në 6 muajt e parë për çdo të punësuar me aftësi të kufizuar dhe për 4 muaj për punëkërkues të papunë.
Mbështetja financiare e projekteve në turizëm për vitin 2016, nëpërmjet fondit buxhetor për projekte, thirrja e parë prej 21 milionë lekësh dhe e dyta që aktualisht vijon të jetë e hapur, është 22 milionë lekë. Ky fond mbështet promovimin e destinacioneve të reja turistike, zgjidhje inovative, ngritje të produkteve të reja turistike, si dhe turizmin kulturor duke u kushtuar vëmendje komuniteteve lokale.
Pa harruar edhe mbështetjen për rikonstruksionin e shtëpive tradicionale, ndërmarrë nga Ministria e Kulturës, siç është projekti i restaurimit për qendrat historike Dhërmi fshat dhe Vuno fshat (korrik-gusht 2016, 150,000 euro), në Gjirokastër (3 milionë USD nga AADF), si dhe projekti i restaurimit për 23 shtëpi të rrënuara të destinuara për hostel.
MZHETTS mban kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Financave lidhur me ndryshime të mundshme të paketës fiskale 2017.
A ka pasur një draft në lidhje me strategjinë e re të turizmit, çfarë po ndodh me këtë dokument? Kur mund të miratohet?
Ka pasur një draft paraprak të Strategjisë Kombëtare për Turizmin, i cili u hartua nga një grup konsulentësh në bashkëpunim me MZHETTS. Për këtë draft, u vijua puna me procesin e konsultimeve me aktorët e interesit dhe publikun nëpërmjet organizimit të takimeve konsultative në disa rrethe të vendit. Ndërkohë u miratua Plani i Përgjithshëm Kombëtar për Zhvillimin e Territorit, Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit, ndaj erdhi natyrshëm nevoja për një harmonizim të këtyre dokumenteve për një vizion të përbashkët. Aktualisht kjo draft-strategji po përshtatet nga një grup pune i ngritur edhe me ekspertë jashtë MZHETTS, të cilët po merren me përmirësimin e draftit ekzistues, duke e përshtatur me parimet e parashikuara në legjislacionin e ri për turizmin, zhvillimet e fundit të sektorit, pa lënë mënjanë edhe harmonizimin me planet territoriale të përfunduara. Ky dokument do të jetë gati brenda këtij viti.
A mund të na bëni një bilanc në lidhje me ecurinë e turizmit në periudhën janar–gusht 2016 krahasuar me 2015, sa i përket numrit të turistëve, vendeve të origjinës nga vijnë turistët, net-qëndrimet mesatare dhe shpenzimet mesatare?
Duke iu referuar të dhënave që na vijnë nga Drejtoria e Kufirit në Policinë e Shtetit, numri i vizitorëve që erdhën për periudhën janar-gusht 2016 është 3.469.000 që do të thotë 19.7% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të 2015-s. Të ardhurat nga udhëtim/turizmi për 6-mujorin e parë të vitit 2016, sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, kanë qenë 640 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur këto të ardhura kanë qenë 592 milionë euro. Të ardhurat neto nga udhëtim/turizmi për 6-mujorin e parë të 2016 kanë qenë 140 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur të ardhurat neto ishin 118 milionë euro, kemi një rritje prej 19%. Grupi i subjekteve të regjistruara “Akomodim dhe shërbimi ushqimor” nga të dhënat që vijnë nga QKB, ka pasur rritje me 2,4% për periudhën janar–gusht 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e regjistruara nga TIA për numrin e fluturimeve charter gjatë periudhës maj-gusht 2016, na tregojnë se ato u rritën 98% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Hyrjet e kroçerave dhe jahteve turistike në Shqipëri, vërehet që gjatë periudhës janar–gusht 2016 kanë pasur një shtim të këtyre mjeteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij viti kanë hyrë në total 924 mjete të tilla, 30% më shumë se në vitin 2015. Gjatë sezonit turistik veror qershor-gusht nga 2015 në 2016, vërehet rritje 15% e vizitorëve nëpër monumente kulturore, muze dhe parqe arkeologjike. Top 10 vendet e origjinës së vizitorëve në Shqipëri janë nga Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Mal i Zi, Anglia, Polonia, SHBA, Gjermania dhe Turqia. Po t’i referohemi WTTC deri në fund të 2016-s, sektori i turizmit pritet të gjenerojë punësim për rreth 77,000 persona.
Diskutime rreth kësaj post