Ideja e Presidentit Hashim Thaçi për të bërë reformë zgjedhore pa opozitën do të dështojë. Nuk duhet të ndodhë as ndryshimi i Kushtetutës për mënyrën se si do të votohet Shefi i Shtetit. Këto vlerësime i ka dhënë analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi. Ai ka thënë se disa propozime të Thaçit nuk duhet përkrahur
Pa përfshirjen e Vetëvendosjes, AAK dhe NISMA’s nuk do të mund të ketë reformë zgjedhore të propozuar nga Presidenti Hashim Thaçi.
Këtë konstatim e ka dhënë Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, i cili ka sqaruar se për të bërë reforma siç ka propozuar Thaçi duhet ndryshime Kushtetuese, të cilat kërkojnë votën e 2/3 të deputetëve.
“Prandaj, përkundër nevojës që të ketë reformë zgjedhore para zgjedhjeve, ajo nuk duhet të ndodh pa përkrahjen e opozitës” ka thënë Krasniqi për Gazetën Express.
Shefi i Shtetit ka mbajtur dy takime me zyrtarët e partive të mëdha e të vogla dhe ka propozuar disa ndryshime sa i përket mënyrës se votimit të pesë kandidatëve, zvogëlimin e numri të deputetëve, ndryshimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit. Mirëpo, Thaçi ka thënë se pasi të pajtohen propozimet do të shkojnë në Parlament ku deputetët do të vendosin pro ose kundër kësaj reforme.
Aktualisht, Presidenti i Shtetit votohet në Parlament. Rregulli kushtetues kërkon që në të dy raundet e para duhet të jenë të paktën 2/3 e deputetëve prezentë për të nisur votimi, ndërsa, nëse s’kalon në raundet e para, në raundin e tretë kërkohet vetëm 61 vota.
Analisti Krasniqi konsideron se propozimet e Thaçit për ndryshimin e mënyrës së votimit të Presidentit të Shtetit nuk duhet përkrahur.
“Personalisht konsideroj se që të dy propozimet nuk janë të duhura, dhe se duhet të ruhet mënyra aktuale e zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nuk garanton kandidat me konsensual dhe më pak partiak.
“Kandidatët propozohen dhe mbështeten financiarisht nga partitë, dhe pasi të marrin postin ndihen më shumë borxhli ndaj partisë që i ka zgjedhur”, ka shtuar ai.
Ky njohës i funksionimit të sistemit parlamentar thotë se Kosova duhet të marrë mendimi edhe nga Komisioni i Venecias derisa thotë pavarësisht nevojës reforma nuk duhet të bëhet pa përkrahje të plotë politike.
“Përkundër nevojës që të ketë reformë zgjedhore para zgjedhjeve, ajo nuk duhet të ndodh pa përkrahjen e opozitës”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Express.
Thaçi, të premtën ka zhvilluar takimin e dytë ku ka shpalosur propozime të reja për sistemin e zgjedhjeve. Ndërkohë që propozimin për zgjedhjen e Presidentit nga populli e kishte propozuar në takimin e parë.
Udhëheqësit e partive opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kanë thënë se me Shefin e Shteti nuk bisedojnë për reformë zgjedhore por vetëm për caktim të datës së zgjedhjeve.
Ideja e parë për të bërë reformë zgjedhore në Kosovë kishte nisur kur Atifete Jahjaga ishte bërë Presidente. Në atë kohë, në marrëveshje mes Isa Mustafës, Hashim Thaçit e Behgjet Pacollit ishte paraparë që Presidenti të zgjidhej me votat e popullit, derisa, të ndryshonte edhe forma e organizimit të zgjedhjeve në më shumë se një zonë dhe me votim të vetëm një kandidati. Ajo reformë pati dështuar pasi PDK e LDK nuk e kishin çuar përpara këtë proces./Ekspress/
Diskutime rreth kësaj post