Krerët e partive politike në vend kanë zhvilluar dje një takim triorësh me Komisionerin Johannes Hahn dhe nënkryetaren e Parlamentit Europian Ulrike Lunaçek, e shefen e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova. Mirëpo, ky takimi i ndërkombëtarëve me liderët e subjekteve politike nuk solli ndonjë rezultat konkret.
Temat të cilat u diskutuan ishin çështja e demarkacionit, rasti i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Deharit, si dhe zgjedhje të reja. Propozimi i fundit është mirëpritur nga subjektet opozitare, por jo edhe nga partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK).
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se bllokada politike më së miri do të lirohej me shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi, sipas tij, nuk ka asnjë alternativ për të dal nga kjo krizë e thellë politike e institucionale.
“Derisa nuk ka pajtim për çështje me rëndësi për vendin, unë mendojë se e vetmja mënyrë është që të shkohet në zgjedhje. Në fund të këtij viti ose pranverën e hershme të vitit të ardhshëm është periudha më e mirë që të shkohet në zgjedhje sepse sa më shumë që të zgjatet aq më keq është për vendin”, është shprehur ai.
Më tej, Lekaj thotë se partnerët e koalicionit qeverisës nuk po tregohet i aftë për ti zgjidhur problemet që i ka vendi, ndonëse numrat i ka në Kuvendin e Republikës. Ai thotë se premtimet e partisë së Isa Msutafës dhe Kadri Veselit s’kanë sjellë asnjë rezultat pozitiv për qytetarët e vendit.
“Fajtorë janë pozita, koalicioni qeverisës i cili edhe pse i ka numrat kushtetues, 2/3, nuk është në gjendje që të zgjidh problemet kyçe sepse kanë gabuar sidomos me dy marrëveshjet e Brukselit. Qytetarët për këto tri vite nuk kanë parë diçka të mirë dhe vetëm sa është shtuar varfëria nuk janë përmbushur premtimet që janë dhënë gjatë fushatës elektorale. Ka qenë koalicion i së keqes për Kosovën dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Lekaj.
Megjithatë, shefi i deputetëve të AAK-së thotë se është i bindur që partia e Ramush Haradinaj do të dal e para në zgjedhjet që pritet të mbahen.
“Ne jemi të bindur se duke u nisur nga tereni dhe takimit që i kemi me qytetarët mendojë së është dyfishuar mbështetja dhe ne jemi në garë për të fituar. Në asnjë mënyrë ne nuk do të jemi të 3-ët apo 4-ët, por do të jemi në garë bashkë me “Nisma për Kosovën” për ti fituar zgjedhjet, të parët apo të dytët dhe kjo do të ndodhë 100%.”, ka thënë Lekaj.
Diskutime rreth kësaj post