Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, shprehet se do të dëshironte që modeli i demokracisë në SHBA të kishte prodhuar një Presidente grua.
Në një intervistë për “Kapital” në “Vizion +”, Bregu sqaron se ndonëse nuk ka të drejtë vote, pasi nuk është shtetase amerikane, do të dëshironte që zgjedhjet në SHBA të “thyenin” tavanin e qelqit dhe gratë të përfaqësoheshin në nivelin më të lartë të politikës në botë.
“Unë nuk jam as qytetare amerikane dhe as nuk kisha për të votuar në SHBA. Por nisur nga fakti që Amerika është ai vend, i cili ka dhënë modele demokracie për të gjitha vendet e tjera, do të kisha dashur shumë që të shihja një grua Presidente në SHBA. Por nuk arriti të thyhej ai tavani i qelqit, që e tha edhe Clinton-i në fjalimin e humbjes”, shprehet Bregu.
Megjithatë, Bregu kërkon që PD në zgjedhjet e ardhshme politike të arrijë një fitore si ajo e Donald Trump-it, i cili fitoi pavarësisht pritshmërive dhe sondazheve që i kishte kundër.
“PD të ketë aleancë me qytetarin. PD të kërkojë aleancë me të gjitha figurat e saj, të cilat sot mund të mos jenë pjesë e saj, që janë larguar për një arsye apo për një tjetër dhe që në një moment të historisë së tyre politike e kanë parë veten jashtë zhvillimit të karrierës ku e kanë nisur në PD. Ka plot emra të tillë. Kur ne flasim për një qeveri të krimit, unë nuk i ndaj dot mes dy bashkëkryetarëve të qeverisë se cili është më problematik, kur dëmi është bërë njëlloj. Donald Tramp i ka fituar zgjedhjet përkundrejt të gjitha pritshmërive, mediave dhe kundër të gjithëve. Asgjë nuk është e vendosur dhe e vulosur sot”, tha Bregu.
Diskutime rreth kësaj post