Një vajzë që rezultonte “e zhdukur” prej më shumë se 6 vitesh, është gjetur mbrëmjen e së mërkurës nga Policia e Tiranës, por nuk ka pranuar të kthehet në shtëpi. Vajza që aktualisht është 21 vjeçe, ishte denoncuar si e humbur nga familjarët e saj në maj të vitit 2010. Që prej asaj kohe, as familja dhe as forcat e Policisë nuk kishin arritur të binin në gjurmët e saj deri dy ditë më parë.
Ajo është Fationa K. dhe ishte vetëm 15 vjeçe kur u largua nga shtëpia dhe askush nuk mundi të lidhej me të, apo të mësonte diçka rreth fatit të saj. Prindërit e saj patën dyshime se vajza edhe mund të ishte trafikuar për qëllime prostitucioni dhe madje për këtë arsye bëri denoncim në Komisariatin nr.4 rreth 6 vite më parë.
E megjithatë, askush nuk mundi të zbulonte se në çfarë rrethanash u largua dhe ku ka qëndruar gjatë gjithë këtyre viteve. Derisa mbrëmjen e së mërkurës, pas një informacioni të siguruar nga oficerët e Komisariatit nr.4, u arrit të gjendet vajza e dyshuar, edhe pse karakteristikat fizike kishin ndryshuar shumë në krahasim me 6 vite më parë, kur u denoncua.
Ajo u konstatua duke pirë kafe në një lokal në afërsi të Rrugës së Dibrës dhe u shoqërua për t’u marrë në pyetje në Komisariat, ku shpjegoi arsyet e largimit nga shtëpia, duke thënë se kishte ikur me dëshirë e nuk donte që të kthehej më. Policia lajmëroi edhe familjarët për gjetjen e saj, të cilët menjëherë u paraqitën në rajon. Dëshmia Vajza 21-vjeçare është marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga oficerët e Policisë rreth arsyeve të largimit të saj nga banesa dhe nëse është shfrytëzuar për prostitucion gjatë kësaj kohe, ashtu sikurse pretendonin familjarët e saj.
Mësohet se Fationa K. ka mohuar pretendimet e familjes, madje i ka fajësuar ata për vendimin që ajo mori 6 vjet më parë, kur ishte adoleshente. Vajza ka pretenduar se prindërit e pengonin që ajo të dilte dhe të jetonte njësoj si shoqet e saj, madje herë pas here ushtronin edhe dhunë psikologjike ndaj saj. Për këtë arsye ajo thotë se ishte larguar me dëshirë dhe kishte vendosur që të mos fliste më me familjarët e saj. Ajo ka treguar se fillimisht ka qëndruar te një shoqe, më pas ka filluar punë dhe ka jetuar vetëm në një shtëpi me qira.
Diskutime rreth kësaj post