Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, në cilësi të Koordinatorit Nacional Kundër Terrorizmit, priti në takim atashetë për çështje ligjore në zyrën e FBI-së, Jack H. Liao, Daniel J. Yocca, dhe Andrew de la Rocha.
Në takim morën pjesë edhe Drita Pereziç, Këshilltare e lartë e ICITAP-it Amerikan dhe Samir Krasniqi, koordinatori i QKMK-së, transmeton “Zeri.info”.
Ky takim u mbajt në kohën kur pritet të nënshkruhet Marrëveshja për Shkëmbimin e Informacionit për Verifikimin e Terrorizmit, në mes të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së dhe në kohën kur ky ekip i FBI-së, i cili mbulon Republikën e Kosovës, po e ndryshon selinë, ku nga Sarajeva do të vendosen në Sofje të Bullgarisë.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Hoxha i informoi zyrtarët e FBI-së lidhur me mekanizmat e ndërtuar në funksion të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme, ndërtimin e legjislacionit primar, sekondar, Strategjitë Kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal.
“Po ashtu zëvendësministri Hoxha i njoftoi zyrtarët e FBI-së lidhur me rolin dhe mandatin e MPB-së, autoritetet e përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, detyrat dhe aktivitetet që kryhen, bashkëpunimin me autoritetet e zbatimit të ligjit, si vendore dhe ndërkombëtare, sistemet e vendosura, zbatimin e masave në kufi lidhur me kontrabandimin me migrantë, masave anti-terror, masave anti-korrupsion, shkëmbimin në kohë reale të informatave, inteligjencën dhe hetimet e përbashkëta, shfrytëzimin e bazave të të dhënave ndërmjet autoriteteve dhe mekanizmin që bashkërendon këto aktivitete 24/7 që është QKMK, e cila është e vendosur në objektin e MPB-së”, thuhet në njoftimin e MPB-së, transmeton “Zeri.info”.
Gjatë kësaj vizite, zyrtarët e FBI-së u ndanë të kënaqur me progresin e arritur nga mekanizmat e Sigurisë të Republikës së Kosovës, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit që është kusht për bashkërendim efikas dhe efektiv në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme që ndodhin si në kufi dhe brendi të territorit.
Ata konfirmuan përkrahjen e tyre dhe projekteve që mbështeten nga Ambasada Amerikane, në zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të sigurisë në Kosovë.
Diskutime rreth kësaj post