Presidentit të zgjedhur Donald Trump do t’i duhet të mbushë gati 4.000 pozicione qeveritare, ku hyjnë edhe disa prej posteve më të rëndësishme të administratës amerikane. Ekipi i tij i është përveshur punës për të dalë me emra konkrete, megjithatë, mundësi zgjedhjeje nuk ka shumë.
Një pjesë e mirë e parisë republikane e ka mbajtur larg Trumpin. Të tjerë, përfshirë këtu figura me përvojë të partisë, e refuzojnë miliarderin krejtësisht. CNN ka hartuar një listë kandidatësh të mundshëm për të zënë pozicione në kabinetin “Trump”, që të gjithë emra që vijnë nga rrethi i mbështetësve të tij.
Shef stafi mund të caktohet Newt Gingrich, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, që garoi për president në zgjedhjet e vitit 2012. Këtë post mund ta marrë edhe guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, i cili u përball me Trumpin në paraprake, e më pas i doli në krah gjatë fushatës, ose ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Giuliani, këshilltari në hijë i manjatit.
Nuk është çudi, megjithatë, që në fund të zgjidhet Reince Priebus, presidenti i Komitetit Kombëtar Republikan. Në karrigen e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare ka gjasë të ulet gjeneral-lejtnanti i tërhequr nga ushtria, Michael Flynn.
Këshilltari i lartë i komunikimit gjatë fushatës, Jason Miller diskutohet si sekretar shtypi. Për Sekretarin e Mbrojtjes janë 4 emra në garë, të kryesuar nga senatori i Alabamës, Jeff Sessions. Të njëjtin emër e gjejmë të lakohet dhe për Sekretar Shteti, në krah të ish-ambasadorit amerikan në OKB, John Bolton.
Një tjetër njeri me të cilin u përball në paraprake, mjeku Ben Carson mund të zgjidhet Sekretar i Arsimit ose i Shëndetësisë, ndërsa menaxherja e fushatës elektorale, Kellyanne Conway, ndoshta shpërblehet me postin e këshilltares së lartë.
Diskutime rreth kësaj post