Nga Mira Kazhani
Si do jete bota e re apo Amerika e re, kjo është nje analizë-parashikim që do bëhet nga specialistët e gjeopolitikës dhe që pas Janarit koha do e tregoja para fjalëve. Siç mund ta kemi bërë të gjithë një fije reflektim ajo çka ra në sy nga fitorja (ndoshta e paparashikuar) e Donald Trump ishte pafuqia e fjalës, e makinës së propagandës, e Hollivudit, e Cnn, e Beyonce, a Jlo, e Donatella Versace. E gjithe bota e medias, industria e muzikës dhe kinemasë u bënë bashkë kundër një presidenti si Trump dhe tentuan të bindin amerikanët (botën gjithashtu) me argumentin gjinor -voto një grua që të bëjmë histori. Siç pastër e bukur do thoshte aktorja hollivudiane Susan Sarandon -” unë nuk votoj me vaginë” duke qenë nga të rrallat, ndoshta ishullore në Hollivud jo ne favor të Hillary (Sarandon nuk mbështeste as Trump).
Fitorja e Trump nuk mund të shpjegohet më bindshëm sesa një votë ndëshkuese për hipokrizinë politikës amerikane që është instaluar veçanërisht në pas vitet -90. Ndoshta amerikanët nuk patën një zgjedhje më të mirë por shoqëria është syhapur sot. Nuk ka nevojë të bëjë histori por të jetojë shëndosh e mirë në shtëpinë e saj. Amerikanët votuan vendosjen e murit të madh dhe kjo të tremb pak.Por ata nga brenda votojnë për jetën dhe familjet e tyre. Vota është egoizëm dhe jo altruizëm. Vota është një e drejtë dhe thellësisht intime. Ajo që të ngacmon tek amerikanët në këtë rezultat historik, është ky qëndrim anti-establishment, anti-familje, anti-propagandë.
E kuptojmë dot se ata votuan një president që i kishte kundër të gjithë, ndonjëherë edhe veten e tij me atë ç’ka thoshte dhe ndonjëherë për atë që nuk ishte në gjendje ta thoshte. “Puritanizmi” amerikan votoi një burrë me 5 fëmijë nga 3 martesa. Një biznesmen të padisiplinuar, arrogant, pragmatik. Nuk votoi gruan që nuk e ndau burrin që e tradhtoi por mbajti të lidhur familjen duke mos u dorëzuar tek divorci. Shumica nuk votoi gruan perfekte që do bënte Shtëpinë e Bardhë të fliste me gjuhën e zemrës së nënës, e gruas së duruar. Kjo nuk ishte një votë kundër Hilary Clinton sa një mesazh i mërzisë deri në stomak me gënjeshtrën e imazhit perfekt të politikanëve. Mesa duket pak rëndësi ka për amerikanët çfarë mendon Cnn apo Beyonce dhe Jaz.y. Kurrfarë interesi nuk zgjoi tek ata kush ishte veshur apo zhveshur më shumë. Amerikanët votuan një kandidat të vetmuar, një outsider ( një personazh që nuk vinte nga skema klasike e karrierës politike) një personazh totalisht atipik që ju premtoi një Amerikë për amerikanët dhe jo për botën.
( A nuk është edhe kryeministri jonë rasti kur nga një personazh jokonvencional, atipik u zhbë në atë që makina e propagandës ja diktoi. Kush nuk do vinte bast që Edi Ramën shqiptarët e deshën përnjëmend atëherë kur e quanin të cmendur sepse me gjasë nuk e shpjegonin ndryshe unikalitettin e tij, citjanet, flokët, unazat dhe stilin e fjalimeve apo mbledhjeve ku shfaqej i drejpërdrejtë, jo pak herë arrogant por në fund punëtor dhe artist i qytetit. )
Ne jemi një vend kaq i vogël sa edhe sikur mos të kemi një opinion për atë që ndodh në Amerikë nuk përbën asnjë gjurmë në lëmin historik, ekonomik, social e politik. Gjurmë lënë shoqëritë e mëdha dhe të rritura në demokraci si Amerika që edhe kur gabon në zgjedhjen e saj e bën me qëllime integriteti. Mund të jetë një gabim fatal dhe një fitore gjeniu kjo e presidentit Trump por këtë koha do e tregojë. Ajo çka merr zë dhe që bën mmmuuuuu, është se koha kur shoqëria ishte një turmë që ti me propagandë e coje ngado, sot u rrëzua, nuk është më. Për këtë, meritë ka interneti, rrjetet sociale që po e ndryshojnë botën tonë duke na dhënë mundësi të bëjmë tek e fundit gabimet tona, sipas nesh. Trump me shembullin e tij ka bërë të vërtet ëndrrën amerikane. Që mund t’ja dalësh edhe kur je vetëm dhe ke në dukje gjithë botën kundra. po mesa duket bota nuk është ajo që na tregojnë në televizor apo edhe në rrjetet sociale.
Një kohë e re ka ardhur për të cilën duhet të bëhemi gati. Po bien idhujt, mitet e rrejshme, po bien markat dhe shefat e botës janë në dorë të një vote anonime. I dashur anonim kurrë nuk ke qenë kaq i dukshëm sa sot.
Diskutime rreth kësaj post