Pas vdekjes së ish-aktivistit të “Vetëvendosjes”, Astrit Dehari, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka vlerësuar se, vdekjet që ndodhin brenda burgut janë gjithmonë shqetësuese.
Megjithatë, ajo që ka rëndësi sipas tij është gjetja e fakteve.
“Vdekjet në paraburgim janë gjithmonë shqetësuese. Është me rëndësi që të sigurohen faktet. E mirëpres vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për përfshirjen e hetuesve të pavarur në hetim”, ka shkruar ambasadori Delawie në rrjetin social “Twitter”.
Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka reaguar për të njëjtën ngjarje, për të cilën ai thotë se duhet të sigurohet një hetim transparent dhe i shpejtë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka shkruar se kërkon nga autoritetet e Kosovës që të bëhen të ditura sa më shpejt rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.
“Unë i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve të Astrit Deharit. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të na sigurojnë se, ekziston një hetim transparent dhe i shpejtë mbi rrethanat e vdekjes së tij”, ka shkruar O’Connell.
Ish-aktivisti Astrit Dehari ndërroi jetë në Burgun e Prizrenit në rrethana që, sipas hetimeve paraprake thuhet se ka ardhur nga asfiksia.
Diskutime rreth kësaj post