Shqipëri-Izrael do të luhet në Elbasan Arena. Ndryshim i papritur i programit për zhvillimin e ndeshjes së kësaj të shtune për kuqezinjtë, që ishte programuar më parë për tu luajtur në Loro Boriçi. Takimi do të zhvendoset në impiantin e Elbasanit për arsye që kanë të bëjnë me sigurinë e ekipit mik.
Takimi do të zhvendoset në impiantin e Elbasanit për arsye që kanë të bëjnë me sigurinë e ekipit mik. Fillimisht ishte Uefa që në faqen e saj zyrtare në axhendën e ndeshjeve të raundit të katërt publikoi si vend zhvillimi të ndeshjes Shqipëri – Izrael Elbasan Arenën.
Ky ndryshim i dedikohet çështjes së sigurisë së delegacionit të skuadrës së Izraelit që përbën një rast specifik të çështjes së sigurisë për motive të njohura të gjeopolitikës në Lindjen e Mesme, madje në të kaluarën nuk kanë munguar edhe tragjedi të vërteta sic ishte rasti i sulmeve në Lojërat Olimpik te Mynih 1972.
Në këtë situatë edhe masat parandaluese për udhëtimet e delegacioneve sportive të Izraelit janë shpesh më të sofistikuara. Pak ditë më parë në Shkodër ka patur arrestime të 4 personave që dyshohet se ishin duke planifikuar akte terroriste, me media të ndryshme që duke cituar burime të prokurorisë bëjnë të ditur se sinjalizimi për këtë çështje është kryer pikërisht nga shërbimi sekret izraelit.
Mësohet se për masat e sigurisë ka patur një takim të zyrtarëve të Fifa-s, atyre të Ministrisë së Brendshme dhe Federatës Shqiptare të futbollit dhe është arritur në përfundimin që ndesha të mos luhet në Shkodër por në Elbasan.
Vlen të kujtohet se dhe për takimin e përfaqësueseve të 21-vjeçarëve të shtatorit të vitit të kaluar mes Shqipërisë dhe Izraelit në Qemal Stafa pati masa të rrepta për sa i përket sigurisë dhe gjithçka shkoi pa incidentin më të vogël.
Përsa i përket sigurisë, Elbasan Arena ka kaluar prova të rëndësishme siç ishte ajo e ndeshjes me Serbinë dhe në këtë mënyrë do të jetë impianti i qytetit të Shqipërisë së Mesme vendi ku do të luhet Shqipëri Izrael.
Ndryshimi i programit shtron një tjetër problematikë për Federatës Shqiptare të Futbollit, atë të biletave që janë shitur për ndeshjen në Loro Borici, çështje që kërkon tani një zgjidhje të shpejtë./TCH
Diskutime rreth kësaj post