Gazeta e Koço Kokëdhimës ka sulmuar sot ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, pasi ky i fundit e përmendi Kokëdhimën si një nga deputetët e korruptuar dhe që e kishte kapur ligji i dekriminalizimit.
“Shekulli” shkruan me anë të Genc Burimit, se Donald Lu përfaqëson krizën e Amerikës në Botë.
“Në kohën kur ka filluar numërimi mbrapsht për zgjedhjen e presidentit të ri në SHBA, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu vepron sikur të jetë totalisht shkëputur me zhvillimet në vendin e tij. Janë gati gjysma e amerikanëve, në mos më shumë sipas sondazheve, që përgatiten të tejçojnë një mesazh të fuqishëm duke votuar për Tramp. Mesazhin se Amerika duhet të merret me punët e veta, të preokupohet pikësëpari për qytetaret e saj, përpara se të ndërhyjë kudo e për gjithçka në botë. Kostoja, si politikë dhe financiare e një politike të tillë intervencioniste po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme, po t’u besosh deklaratave të kandidatit Tramp gjatë debatit të fundit me H. Klinton. Ambasadori “US” në Tiranë mishëron ndoshta formën më “agresive” të këtij intervencionizmi”, shkruhet në editorialin e kësaj gazete.
“Kjo, jo vetëm sepse duket sikur ai krenohet publikisht që është shndërruar në një lloj “guvernatori romak” i Shqipërisë, ndërkohë që homologë të tij në vende të tjera mundohen të ruajnë sadopak formën e një shenje respekti ndaj vendit pritës. Por, zoti Lu ka shkuar deri aty sa të përcaktojë me emër e mbiemër se kush janë sipas tij politikanë të korruptuar në Shqipëri. Zoti ambasador nuk është i detyruar të imitojë as politikanët shqiptarë që shahen e pështyhen çdo ditë me akuza të ndërsjellta, dhe as dy kandidatët për president në vendin e tij qe nuk ofrojnë spektakël më të mirë. Një vend mban si udhërrëfyes kushtetutën”, vijon shkrimi.
“Shekulli” ndërkohë sulmon edhe qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme, pse nuk reagon për akuzat e Lu ndaj Kokëdhimës:
“Por z.Lu e kujton veten aq lart mbi ligjet e Shqipërisë dhe ato ndërkombëtare, saqë e ka për nder apo për zbavitje t’i personalizojë të gjitha aktet e tij në Shqipëri. Për më tepër zoti Lu është i bindur për diçka: për heshtjen legjendare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Teorikisht dhe praktikisht i takon këtij institucioni të inkuadrojë ambasadorët e huaj në Shqipëri nëse ata dalin jashtë rolit të tyre. Po ashtu, i takon Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme të mbrojë si shqiptarët që ndodhen në tokë të huaj nëse ata janë viktima të arbitraritetit në atë vend, por edhe shqiptarët në Shqipëri kur interesat e tyre cenohen arbitrarisht nga subjekte apo institucione të huaja.
Sikur ambasadori grek në Tiranë të kishte cilësuar Gramoz Ruçin apo Lulzim Bashën si politikanë të korruptuar, të jemi të sigurt që Ditmir Bushati si ministër i Jashtëm do e kishte thirrur për shpjegime. Jo për të mbrojtur Bashën apo Ruçin, por për të vendosur rregulla loje të barabarta si për shqiptarin edhe për të huajin. Në rastin konkret, ambasadori i huaj gëzon imunitet, dhe prandaj ai nuk duhet të abuzojë duke sharë e damkosur shtetasit në vendin pritës, sepse viktima e ka të pamundur t’i bëjë proces për shpifje. Kaq gjë, minimum i bonsens-it, jo vetëm ministria jonë e Jashtme duhet t’ia kishte thënë Donald Lu-së kur ky sulmoi në mënyrë veresie Koço Kokëdhimën, por vetë kryeministri Rama duhet të kishte dalë me një deklaratë qoftë hipokrite, për t’i kujtuar mega-ambasadorit disa rregulla bazë të shtetit të së drejtës”.
Diskutime rreth kësaj post