Nga Ilir Sinanaj
Të martën (1 nëntor 2016), u zhvillua në Akademinë e Arteve hapja e lëvizjes politike “Lista e Barabartë” apo “LIBRA” shkurt. Ishte mbi të gjitha tundimi i kureshtjes nga e panjohura, që më cyti të shkoja në Akademinë e Arteve për të ndjekur këtë ngjarje. Dhe në këtë rast, kureshtje përbënte mënyra se si një lëvizje politike e një intelektuali të sprovuar në arenën politike si Ben Blushi, do të paraqitej publikisht.
Hapësira e sallës së Akademisë së Arteve
Ishte lajmëruar se veprimtaria do të fillonte në orën 18:00. Shkova rreth 10 minuta me vonesë, sepse paragjykova se këto lloj veprimtarish fillojnë gjithmonë më vonesë. Gjithashtu isha i bindur se do të gjeja një vend për t’u ulur. Por u çudita! Kur shkova, salla ishte mbushur plot e përplot dhe pata vetëm mundësi të “strukesha” pranë “regjimentit” të media të rreshtuar në fund afër hyrjes. Madje mungesa e vendeve kishte shtuar akoma më shumë pakënaqësinë, në “Pakënaqësinë” e përgjithshme që është në themel të “LIBRA”-s.
Kështu nga ana e ndikimit në opinioni publik kjo ishte shumë e arrirë. Pasi një “partizë e vockël” arriti të mbushte plot e përplot një sallë, në një kohë që njerëzit kanë frikë të marrin pjesë nëpër themelime partish, që detyrimisht janë në opozitë dhe në themel nuk kanë “të fortë me lekë”. Së dyti, përzgjedhja e sallës së Akademisë së Arteve mos vallë ishte një sfidë shpotitëse e drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit piktor Edi Rama?
Zyrtari i Bashkisë së Tiranës
Ndërsa isha në hyrje të sallës së Akademisë së Arteve, poshtë skenës nga e djathta, pashë një zyrtar në Drejtorinë e Informacionit të Bashkisë së Tiranës! U trondita! Jetojmë në Shqipëri dhe spekulimin e kemi për zemër. Por nga ana tjetër thuhet: “Ku ka tym, ka edhe zjarr!” Çfarë bënte vallë një zyrtar që punon në “tempullin propagandistik” të Bashkisë së Tiranës në prezantimin e “LIBRA”-s, një lëvizje “heretike” për “Rilindjen” në Partinë Socilaiste? Mos vallë kishte ardhur për të marrë të dhëna për shefin e tij? Mos vallë kërkonte të ishte i lirë, pasi “Rilindja” mund t’ja kishte sjellë në majë të hundës dhe nuk e honepste më dot? Mos vallë ishte një rastësi? Mos vallë thjesht kureshtje? A mund të “rrezikosh” kaq shumë në Shqipëri nëse punon në shtet thjesht për kureshtje? Mos vallë prania e tij aty ishte mishërimi i perceptimit nga kryebashkiu Erion Veliaj se ndoshta “Rilindjes” i ka ardhur fundi, duke synuar t’i bashkëngjitet “LIBRA”-s? Nuk është hera e parë që Erion Veliaj i ndahet një force politike të “dobët” për t’iu bashkuar një më të “forte”? Se një shprehje anglo-saksone thotë: “Po nuk i munde dot bëhu pjesë e tyre!” Erion Veliaj e la “G99” dhe iu bashkua “Rilindjes”, se “nuk e mundi dot” PS-në me G99… Mos vallë “Rilindja” do të jetë “G99” e dytë e kryebashkiakut Veliaj? Me postin që ka, si kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt nuk ka çfarë i “duhet” më “Rilindja” e Edi Ramës…
Organizimi dhe prania e medias private
Media në Shqipëri në tërësinë e saj ka marrë karakterin e “një punëtori llaçi” që zbraz dhe mbush me lopatë kovat e llaçit, me qëllim plotësimin e normës prodhuese pa analizën më të vogël. Në rastin e pjesës dërrmuese të medias ,“punëtorët”e gazetarisë marrin “llaçin” informativ të pushtetarëve nga një veprimtari dhe e “shkarkojnë” nëpër redaksi mekanikisht. Por edhe kjo “punë e rëndomtë” bëhet vetëm për pushtetarët dhe “të fortët me lekë”. Më bëri përshtypje që të shumtë ishin mediat në themelimin e “partizës LIBRA”. Pse vallë? Në këtë rast është e qartë se surpriza e kësaj lëvizjeje, që përmban personazhin politik, Ben Blushi, ishte diçka që mediat duhet t’ia servirnin publikut për efekt shikueshmërie dhe klikimesh. Pra e gjithë kureshtja e ndërtuar me muaj të tërë për ketë lëvizje të pagëzuar “LIBRA” ishte si të thuash “pagesa” që bëri që edhe ato “media-kazan” pranë të pushtetshmëve të mos mund të rrinin pa i bërë jehonë themelimit të saj. Sado që një media kërkon t’i lëpihet pushtetit dhe të censurojë ngjarje, kur bëhet fjalë për një ngjarje që publiku ka uri të pamatë, ato nuk mund të rezistojnë pa e pasqyruar ngjarjet në fjalë. Kjo pasi siç e thamë më lart “shpërblehet” me shikueshmëri dhe klikime.
Prania e RTSH-së
E jashtëzakonshme! Gjigandi mediatik “Radio-Televizioni Shqiptar”, i cili “të shenjtë” ka njoftimet për shtyp të qeverisë dhe institucionet, ishte i pranishëm të mbulonte ngjarjen e themelimit të “partizës LIBRA”, ku njëri prej eksponentëve themelues të saj Ben Blushi i ka shpallur luftë të hapur të “përdhosjes së injorantëve” në “Rilindjen” e Edi Ramës. Dhe prania e RTSH-së ishte e konsiderueshme kur bëhet fjalë për themelin e një partie politike. Në Shqipëri parti politike ka me dhjetëra e dhjetëra. Pse vallë “partiza LIBRA” bënte përjashtim? Duhet thënë se sado e “dërrmuar” mund të duket RTSH-ja, në këtë institucion përplasen “interesa madhore” të informacionit që i serviret publikut. Pse vallë RTSH-ja “guxoi” të mbulonte ngjarjen e themelimit të “partizës LIBRA” që duket se ka për qëllim “shkallmimin” e aktorëve të rendit politik aktual, ku bën pjesë edhe vetë? Cilat ishin ato “forca” që e “detyruan” që të ishte e pranishme? A ka në “partizën LIBRA” diçka më shumë sesa mund të perceptojë njeriu i thjeshtë?
“Anonimët”
Anëtarët e LIBRA-s, përjashto deputetët Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi, ishin disa tërësisht të panjohur. Por atyre u dha mundësia të shpreheshin lirisht, para një salle të mbushur plot e përplot. Madje edhe Mimoza Hafizi e Ben Blushi ishin dhe vazhdojnë të jenë në plan të dytë në “LIBRA”, të paktën kështu duket mediatikisht dhe në rrjetet sociale. Por edhe kjo është domethënëse, sepse pikërisht në media e në rrjete sociale ata që u duket vetja se kanë pushtetin “ngordhin” të propagandohen. Ky nuk është rasti me “LIBRA”. Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi nuk janë në qendër të vëmendjes.
Nga ana tjetër nxjerrja në skenë e “anonimëve” nga “LIBRA”, ka “tërbuar” korifenjtë shqiptarë të analizës dhe të pushtetit. Me shumë të ngjarë ata hanë vetëm me dhëmbë dhe “nuk ia falin” Ben Blushit se përse nuk i ftoi ata në “lëvizjen e tij” Dhe përsëri me shumë të ngjarë këtu gabojnë. E para nuk është lëvizja e Ben Blushit dhe e dyta të gjithë mund të vijnë dhe të kontribuojnë në “LIBRA”, por nuk duhet të jenë oligarkë dhe duhet të kontribuojnë me ide. Figurat “e shquara” publike mund të mos jenë oligarkë, por kanë të theksuar në egon e tyre se në këto 25 vite të fundit kanë dhënë ide “të mirëfillta”. Por e vërteta është se figurat “e shquara” publike në Shqipëri nuk i përfill më njeri nga publiku, përveç medieve-kazan, ku ftohen dhe vetëftohen me miqtë e tyre. Prandaj mendimi i një “anonimi” mbetet më tërheqës për publikun sepse është origjinal.
Por edhe oligarkët janë “tërbuar”. “Të paprekshëm”, në majat e tyre “olimpike” të krimit, korrupsionit dhe drogës, dhe që ua kanë “frikën” të gjithë, që abuzojnë me burime natyrore, që “blejnë” e “shesin” femra e meshkuj si një paketë çamçakëzi, tashmë nuk mund të jenë pjesë e një “partize” si “LIBRA” Nuk lejohen të jenë! Nga ekrani i televizorit, nga portalet e shumta “online” dhe nga rrjetet sociale, ata ndjekin disa “anonimë”, të cilëve “u mungon” si baza ekonomike e fuqishme ashtu edhe rrjedhshmëria në dalje publike. Dhe këto anonimë nesër pasnesër mund të firmosin vendime dhe projektligje, që mund t’i rrasin në burg! E tmerrshme!
Nga an tjetër paraqitja liberale e “LIBRA”-s, ku çdo kush mund të vijë dhe të kontribuojë dhe të promovohet është mëse tunduese për çdo shqiptar sado dyshues. Sepse ne vdesim të jemi pak në qendër të vëmendjes. Me teknologjinë e sotme kjo nuk kushton asgjë dhe përfitimet i ka të jashtëzakonshme. Është e çuditshme që partitë e mëdha nuk po dinë të promovojnë “anonimët e radhëve të tyre që i duan me gjithë zemër, thjesht edhe sa për sy e faqe.
Intelektuali Ben Blushi dhe Sun Cu
Do të ishte jo e saktë nëse do të mendonim se “truri” mbrapa kësaj lëvizjeje është intelektuali Ben Blushi. Por me të gjitha sa kam vënë re, që i kam përshkruar më lartë, nuk rri dot pa e menduar intelektualin Ben Blushi si kryestrategun e kësaj lëvizje. Kaq e thjeshtë dhe e varfër në fonde në organizim është “LIBRA”, por nga ana tjetër nga sa u tha më lartë është një tronditje e rëndë për kastën e vjetër, që nuk po e kupton dot se nga i erdhi. Dhe jam i bindur se nuk kemi parë asgjë akoma nga “LIBRA”!
Është shumë interesante të mendosh se deputeti Ben Blushi u largua nga Partia Socialiste, ky dinozaur politik që të garanton në çdo zgjedhje mandatin e deputetit nëse do, dhe t’i futet një aventure të panjohur. Nga ana tjetër duhen thënë disa fjalë për deputetin Ben Blushi. Ai e nisi karrierën si gazetar dhe gjatë kohës që ishte deputet ai punoi për të “blinduar” personalitetin e tij si intelektual dhe njeri i letrave, gjithmonë duke qenë i pëlqyer nga intelektualët dhe njëkohësisht duke qenë i pazëvendësueshëm për Partinë Socialiste.
Një ditë të bukur Ben Blushi shpreh pakënaqësinë dhe ikën nga PS-ja e “rilindizuar”! Sigurisht deputetët e listave të PS-së së “rilindizuar”, që po t’u heqësh mandatin nuk mund të punojnë as sanitar bashkie, u çuditën. Sepse në PS ka pasur raste deputetësh, që pasi iu hoq mandati duhet të futeshin në arsim të lartë, në mënyrë që të gjenin punë. Por ky nuk është rasti i deputetit Ben Blushi. Ai ekziston në jetën publike edhe përtej mandatit të deputetit. Unë do të thosha se pakënaqësia e deputetit Ben Blushi është një pakënaqësi intelektuale, që vjen si rezultat i bllokimit të aftësisë për të krijuar dhe menaxhuar pasi ka një “pushtim” nga injorantë, të cilët janë shterpë nga idetë. Dhe një intelektual i pakënaqur u bën gjëmën injorantëve, pasi e ka të lehtë t’ua shkallmoj sistemin që i mban. Si edhe pakënaqësia e intelektualit të papërmbushur është më e madhe se edhe vuajtja për bukën e gojës e një të varfëri të uritur.
Intelektuali Ben Blushi e njeh shumë mirë PS-në, madje deri në detaje dhe nga ana tjetër që kur PS-ja mori ngjyrën e “Rilindjes”, ai nuk ka pasur më nevojë për të, pasi ambienti i krijuar nuk i lejonte më të shprehte potencialin e tij krijues dhe menaxhues (ky potencial nga ana e një intelektuali mund të sjellë vetëm përfitime për publikun). Për këtë arsye të gjithë ata që jetojnë për të pasur një mandat, duke iu jargavitur “Rilindjes”, tashmë janë të tmerruar nga lëvizja “LIBRA”, pasi kjo po kanalizon në mënyrë racionale dhe të organizuar idetë krijues dhe tërbimin e intelektualëve dhe njerëz të zakonshëm ndaj kastës së vjetër politike. Dhe Të gjithë eksponentët e lartë të “Rilindjes” mundohen t’i mbushin mendjen vetës se Ben Blushi nuk do të bëhet më deputet? A janë vallë të sigurt?
Në veprën e shkruar para rreth 2500 vite më parë nga gjenerali kinez Sun Cu thuhet:
“Gjenerali i ndritur siguron fitoren pastaj fillon përballjen luftarake”;
si edhe:
“Njih vetveten, njih kundërshtarin dhe çdo betejë është e fituar
Njih vetveten dhe mos njih kundërshtarin dhe një në dy beteja janë të fituara
Mos njih vetveten, mos njih kundërshtarin dhe çdo betejë është e humbur”.
Lind pyetja: Sa mirë i njeh intelektuali Ben Blushi eksponentët e “Rilindjes” dhe sa e njohin këta eksponentë vizionin e Ben Blushit?
Diskutime rreth kësaj post