Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po vazhdon të qeverisë me metoda sunduese.
Kurse për kryetarin e Kuvendit dhe atë të PDK-së Kadri Veselin tha se ai i kërcënoi me jetë aktivistët e “Vetëvendosjes”.
Këto komente Ymeri i ka bërë dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, duke thënë se edhe pak ditë bëhen një vit që Qeveria sundon me metoda sunduese.
Ymeri shtoi se sot aktivistët e “Vetëvendosjes” mbahen në burg me akuzën për “Terrorizëm” dhe me asnjë dëshmi e provë, por vetëm se janë aktivistë të “Vetëvendosjes”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
“Premtonin se do të integrohen serbët e Kosovës, se do të na njohë Serbia, se do të ketë liberalizim të vizave, do të pranohemi në Bashkimin Evropian. Asnjëra nuk u bë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, tha ai.
Më 27 tetor, sipas tij, regjimi i Kadri Veselit i kërcënoi hapur deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” me jetë “me fjalinë e famshme të tij për vetëvrasje. Nuk pati asnjë tërheqje e as pendesë nga ai për këtë fjalë. Ky pra ishte kërcënim me paramendim. Tamam sikur regjim i nëntokës. Se regjimi domosdoshmërisht një pjesë të punës e kryen në fshehtësi. Nga nëntoka. Natën. Sepse nuk i duron kundërshtarët politikë. Nuk i do ata të jenë”, tha Ymeri.
Sipas Ymerit, për “Vetëvendosjen” pikësynim është mirëqenia e qytetarëve. Ai u ka bërë thirrje aktivistëve që ta forcojnë Republikën dhe ta luftojnë krimin e organizuar.
Ymeri theksoi se Lëvizja “Vetëvendosje” po kuptohet drejt dhe sot është subjekt politik që ka shumë gjasa të jetë subjekti i parë.
Ymeri ndër të tjera ka folur edhe për dialogun me Serbinë, i cili, sipas tij, është ndërprerë bashkë me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ai thotë se Qeveria nuk e ka mbështetjen e popullit për vazhdimin e dialogut, si dhe jetësimin e marrëveshjeve si Demarkacioni dhe Asociacioni…
Diskutime rreth kësaj post