Pritej që vizita e drejtorit të policisë greke Konstantinos Tsouvalas në 4 nëntor në Tiranë të lehtësonte procedurat në kufirin mes dy vendeve. Çuditërisht ndodhi e kundërta. Të nesërmen e vizitës së kryepolicëve greke, dhjetëra shqiptarë u kthyen mbrapsht në pikën kufitare të Kakavijës. Ajo që ra në sy ishte damkosja me kryqe e pasaportave të shqiptarëve që kërkonin të kalonin në anën tjetër të kufirit.
Në një njoftim të Ministrisë së Rendit të Greqisë dalin detaje të reja nga vizita e Konstantinos Tsouvalas në Tiranë.
Kështu kërkesës së Saimir Tahirit për të respektuar lëvizjen e lirë në zonën Shengen, Tsouvalas i është përgjigjur se “policia greke zbaton me rigorozitet detyrimet që burojnë nga marrëveshja Schengen, si dhe kriteret që kërkohen për hyrjen e shtetasve të vendeve të treta në hapësirën e zonës së Shengenit” shkruan Lapsi.
Tjetër fakt që bie në sy në njoftimin e Ministrisë greke, është takimi që ka pasur Drejtori i Policisë, Konstantinos Tsouvalas me Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Zyrtari më i lartë i policisë greke duket se ka pasur një takim të ngrohtë me përfaqësuesin e klerit ortodoks shqiptar, që siç dihet është me kombësi greke. Janullatos ka marrë edhe një dhuratë nga autoritetet e policisë greke, siç shihet në foto.
Në njoftimin e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme greke thuhet se “Kryepeshkopi shprehu vlerësimin e tij për punën dhe kontributin e Policisë Greke për jetën dhe sigurinë e qytetarëve të qetë. Nga ana e tij, shefi i policisë greke vlerësoi kontributin e kryepeshkopit ortodoks që ka shprehur mbështetjen morale për punën e policisë greke”.
Pavarësisht klisheve që shkruhen në njoftime të kësaj natyre, të habit falenderimi i Janullatos për policinë greke, që ndërkohë bllokon dhe kthen qytetarët shqiptarë në kufi me Greqinë.
Janullatos ishte i vetmi klerik që takoi në Tiranë Konstatinos Tsouvalas. Shefi i policisë greke nuk pati asnjë kontakt me kreun e Komunitetit Musliman, Skënder Bruçajn, me imzot Anxhelo Masafrën apo Baba Mondin e bektashinjve.
Diskutime rreth kësaj post