Media ka siguruar letrën që Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri iu ka dërguar 11 mijë policëve e familjarëve të tyre. Në letër Ministri Tahiri shpreh mbështetjen dhe falënderimin për çdo punonjës policie dhe punën e tyre por iu jep edhe lajmin e mirë.
Ai thotë se para 3 viteve punonjësi i policisë ishte jo vetëm i keqtrajtuar financiarisht e profesionalisht, por edhe i tradhtuar në çdo shkallë të hierarkisë shtetërore shkruan “BW”.
“Të punoje në polici ishte një hall i madh, duke filluar me uniformën dhe mjetet, te trajtimi dhe paga, e deri tek çorganizimi strukturor ku nuk kishte asnjë vend për meritën. Shumë punonjës policie kishin vënë në pikëpyetje vlerën e uniformës dhe jo pak të tjerë ishin kthyer në abuzues përsëritës të saj”, shkruan Tahiri. Por sipas tij, sot janë në kushte të tjera dhe kanë ndërtuar një histori suksesi.
Letra e plotë e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri:
I dashur ….
Po të shkruaj për t’ju falënderuar ty dhe familjen tënde, për punën dhe sakrificën e përditshme me të cilën jeni të detyruar të përballeni.
E di fare mirë që asgjë nuk është e lehtë në punën e një punonjësi policie dhe në jetën e përditshme të familjes së tij. Por sot jam i bindur se bashkë kemi arritur të ndërtojmë një histori suksesi, duke fituar respektin dhe besimin e qytetarëve dhe po ashtu duke e përmirësuar ndjeshëm gjendjen shpirtërore e financiare të familjeve të punonjësve të policisë.
Puna jote, vullneti për të rilindur së bashku Policinë e Shtetit, po shpërblehet moralisht nga qytetarët dhe financiarisht nga qeveria jonë!
Që prej ditës së parë në detyrën e Ministrit të brendshëm në qeverinë e Edi Ramës, kam besuar se rruga për t’i bërë qytetet dhe familjet tona më të sigurta dhe bashkëjetesën tonë më të dobishme për çdo individ, kalon nga forcimi i autoritetit ligjor e moral i Policisë së Shtetit dhe motivimi për çdo punonjës policie, pavarësisht gradës dhe funksionit.
Situata e tre viteve më parë, nuk linte asnjë vend për optimizëm. Punonjësi i policisë ishte jo vetëm i keqtrajtuar financiarisht e profesionalisht, por edhe i tradhtuar në çdo shkallë të hierarkisë shtetërore. Të punoje në polici ishte një hall i madh, duke filluar me uniformën dhe mjetet, te trajtimi dhe paga, e deri tek çorganizimi strukturor ku nuk kishte asnjë vend për meritën. Shumë punonjës policie kishin vënë në pikëpyetje vlerën e uniformës dhe jo pak të tjerë ishin kthyer në abuzues përsëritës të saj.
Besoj se sot, jemi në kushte të tjera, pa krahasim me nga ku e nisëm këtë rrugë së bashku, por edhe me vetëdijen se kemi ende një të përpjetë të lartë përpara!.
Pikërisht për atë që kemi bërë dhe duhet të bëjmë më tutje, Kryeministri ka mbështetur kërkesën tonë për një tjetër rritje të pagave, duke bërë të mundur që nga 1 marsi 2017, pagat e punonjësve të policisë të kapin një nivel të kënaqshëm edhe në shkallë rajoni.
Rritja e pagave në 2014, një rritje ekskluzive vetëm për Policinë e Shtetit në momentin kur qeveria përballej me krizën e trashëguar financiar dhe kjo rritje e dytë në tre vjet, përbëjnë shenjën më kuptimplotë të mbështetjes financiar nga qeveria në historinë e Policisë së Shtetit.
Dhe kjo falë teje, falë jush!
Ndaj duke ndarë bashkë këtë lajm të mirë nga rruga e reformave që po japin frytet e para, më lejo të falënderoj edhe njëherë për çka po bën për Shqipërinë si punonjës i Policisë së Shtetit, duke të garantuar ty, familjes tënde dhe gjithë kolegëve të tu, mbështetjen e palëkundur e të pandarë të Qeverisë, Kryeministrit dhe timen personale gjithashtu.
Me mirënjohje Saimir Tahiri.
Diskutime rreth kësaj post