Rasti i përplasjes së policisë dhe tifozerisë së Partizanit të dielën e kaluar në ‘ Elbasan Arena ‘ pritet të kthehet në një mësim të mirë për uniformat blu. Në analizën e zhvilluar për episodet që rikthyen konfuzionin dhe skenat e dhunës në futbollin shqiptar ka dalë në pah edhe një veprim i gabuar i forcave të ndërhyrjes së shpejtë.
Një grup ekspertësh përfshirë edhe shërbimin e çështjeve të brendshme dhe ankesave kanë analizuar të gjithë masat paraprake si dhe veprimet e zinxhirit komandues për sigurinë e stadiumit. Por ku gaboi policia? Megjithëse u shmang futja e mundshme e disa tifozëve në fushë. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se në bazë të hetimit administrativ ka rezultuar se forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë shkelur proçedurat standarte në aspektin teknik.
Po sipas të njejtave burime, focat e përfshira në konflikt ndërhynë vertikalisht duke nxitur një agravim të situatës, ndërsa në manualet e policisë parashikohet që për të tilla raste të ndërhyet nga anët e tribunave ku qëndron tifozeria, për të shmangur përballjen e drejpërdrejtë me turmën e cila mund ti marrë përpara.
Për momentin ende nuk dihet nëse ndaj efektivëve përgjegjës për mbarvajtjen e takimit Partizani-Skënderbeu do të merren masa disiplinore ndërsa raporti përfundimtar i analizës do t’i përcillet drejtuesve më të lartë të policisë.
Siguria e stadiumeve u rikthye në vëmendje pak ditë më parë pas episodeve në ‘ Elbasan Arena ‘ ndërsa policia dhe federata vijojnë të luajnë ping-pong me njëra-tjetrën sa i takon përgjegjësive.
Diskutime rreth kësaj post