Ministri i Brendshëm ngriti shqetësimin për kthimet e shqiptarëve në kufirin grek që udhëtojnë në zonën Shengen dhe i kërkoi Drejtorit të Policisë greke Konstantinos Tsouvalas të kryhen hetime transparente për vrasjet e 2 shqiptarëve në rajonet e policisë helene.
Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes policive të të dy vendeve, si dhe nevoja e zgjerimit e intesifikimit të këtij bashkëpunimi.
Por nga ana tjetër ministri i Brendshëm i bëri me dije Tsouvalas se ka vërejtur me shqetësim rritjen e numrit të shtetasve shqiptarë të kthyer në kufirin me Greqinë.
Tahiri kërkoi nga pala greke të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë.
“Gjithashtu, ministri i Brendshëm kërkoi të zhvillohen hetime transparente dhe të plota për 2 rastet e humbjes së jetës në rajonet e policisë greke të shtetasve Ilia Kareli dhe Pëllumb Marknikollaj, si edhe kërkoi të respektohen të drejtat themelore të shtetasve shqiptarë, pavarësisht faktit nëse janë të ndaluar ose arrestuar nga autoritetet ligjzbatuese të Greqisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ministri Tahiri u kërkoi autoriteteve greke të marrin të gjitha masat në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla në të ardhmen.
Diskutime rreth kësaj post