Pikërisht atëherë kur u duk se Hillary Clinton do ta kalonte tetorin pa surpriza, që të lëkundnin epërsinë e saj ndaj rivalit republikan, FBI-ja njoftoi rinisjen e hetimeve mbi përdorimin e serverit privat për “e-mail”-et dhe papritur, avantazhi në dukje aq i shëndetshëm i demokrates nisi të thërrmohej.
Megjithatë, edhe pse një anketim i “Washington Post” dhe “ABC News” e nxori në një moment Trumpin në krye, të tjera sondazhe, përfshirë ato të CNN-it, tregojnë se pavarësisht të gjithave, Clinton ka mundësitë më të mëdha për fitore.
Donald Trump, një politikan aspak tradicional, këmbëngul se sondazhi i vetëm që ka rëndësi është ai i ditës së zgjedhjeve, për të cilat parashikon që tani se janë manipuluar. Një gjë e tillë, zor se mund të ndodhë në sistemin e sofistikuar amerikan.
Por a mund të ndodhë, që anketuesit të gabohen në parashikimet dhe përllogaritjet e tyre? Një mbështetës i fortë i Trumpit i vë seriozisht në dyshim aftësitë e atyre që merren me sondazhet, për t’i rënë gjërave në kokë, dhe argumentin më të fuqishëm ka eksperiencën e vet personale.
Nigel Farage ishte njëri prej zërave kryesorë të fushatës për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian në referendumin e qershorit. Kampi i tij fitoi duke befasuar mbarë botën. Të gjithë vinin bast se “Jo”-ja nuk do t’ia dilte në votimin plebishitar.
Ditën e votimit, – kujton Farage për CNN-in, – sondazhet na vendosnin deri në 10 pikë prapa. Por ja që ne fituam. Anketuesit, – sipas tij, – u gabuan, sepse në votime dolën edhe njerëz që përgjithësisht kishin zgjedhur të mos bëheshin pjesë e procesit.
“Kompanitë moderne të sondazheve nuk ia arrijnë deri te jovotuesit, që zgjedhin të hyjnë sërish në sistem”, shpjegon Farage. Në rastin e Trumpit, pyetja është: a do të mundet republikani të ndikojë te ky grup zgjedhësish, aq sa t’i nxisë të hedhin votën e tyre më 8 nëntor?
Diskutime rreth kësaj post