Nga Andi Bushati
Edi Rama ka mbajtur këtë të enjte në parlament, një fjalim të spikatur, që me siguri ka ngrohur zemrat e patriotëve bazikë shqiptarë dhe që ka bërë të gufojnë shpirtrat e trazuar të një pakice nacionalistësh mes nesh.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar një ditë më parë, kryeministri është munduar, përmes debatit me të vetmin deputet minoritar të kuvendit, t’i japë përgjigje akuzave ekstremiste që i vijnë nga Athina, dhe kritikave kozmopolite që i janë shtuar në Tiranë, se ai qenkesh një politikan nacionalist.
Po ta dëgjoje me vëmendje, fjalimi i Ramës nuk kishte asnjë qëndrim politikisht jo korrekt.
Nëse ai i rikthehet historisë për të na treguar se shekuj më parë një shqipfolës me uniformë osmane paskësh luftuar për të mos lejuar shkatërrimin e Akropolit, nëse evokon se dikur në Athinë paskan folur gjuhën tonë, nëse tregon për bashkëkombasit që nga halli kanë ndëruar nacionalitetin dhe emrat, nëse thekson se prishjet e Rilindjes urbane vetëm kur u kryekan në Himarë (në asnjë qytet tjetër nuk ka ndodhur kështu) ngjallkan fortunë në sheshin “Sintagma”, ai nuk bën asnjë gabim.
Madje patriotët naivë dhe nacionalistët tanë mund të ndihet të gëzuar se më në fund doli një politikan i lartë shqiptar që nuk ka frikë të vërë pikat mbi i. Ata mund të festojnë faktin se kanë një kryeministër, përfaqësues të një vendi të NATO-s, që bën politikë i pandikuar nga frika e “fshesës greke” dhe i pa trembur nga lobingu negativ që mund të bëjë një Greqi gjithnjë e më e sfilitur në planin ndërkombëtar.
Po atëherë ku qëndron problemi i Ramës?
Nëse ai flet për fakte të pranuara publikisht, nëse ai e bën këtë nga një optikë moderne dhe të zhveshur nga patriotizmi folklorik, ai normalisht duhej duartrokitur.
Një lider shqiptar nuk është as më i pranueshëm për përëndimin, as më i respektueshëm për bashkëkombasit e tij, kur i shmanget disa të vërtetave që bezdisin fqinjët. Problemi duhet të ishte i tyre dhe jo i yni. Sipas kësaj logjike Rama është në rregull dhe ata që gjenden përballë tij janë keq.
Po atëherë pse gjendet Rama mes kësaj vorbulle?
C’ka për t’u kritikuar tek ai nëse grekët nuk e durojnë dot të vërtetën e një shqipëfolësi që ka mbrojtur Akropolin, të një pjese të Athinës që dikur ka biseduar shqip, apo të një Himare me shqiptarë që komunikojnë edhe greqisht?
Problemi i Ramës nuk është tek ato që thotë. As tek shembujt që përzgjedh. Ato janë OK.
Problemi i tij është tek efekti që do të krijojë duke luajtur tek kufiri tejet fraxhil që ndan simbolet dhe fjalorin e një nacionalisti të shekullit të kaluar, me një politikan modern dhe mendjehapur.
Ndërsa nuk mund të fajsohet për veprimet që kryen, Rama mund të akuzohet për klimën që krijon. Sepse ai përdor një strategji sa përfide aq dhe djallëzore.
Ai është koshient se gjërat që ka përzgjedhur të komunikojë këto ditë ngjallin fortunë në qarqet ekstremiste në Athinë. Se ato provokojnë histeri, kundër deklarata të forta, tituj shtypi bombastikë.
Dhe kalkulimi i tij pervers është pikërisht ky. Të futet në një dialog me ekstremet e margjinalizuara, të mbushura me budallallëk dhe fanatizëm për të dalë triumfues nga këto beteja.
Jo më kot ai zgjodhi që dialogun në Kuvend ta kishte me Vangjel Dulen. Jo më kot ai replikon në distancë me pjesën më fanatike të mediave helene. Jo më kot ai mëton të krahasohet me qëndrimet më idiote të zyrtarëve më fondamentalistëtë shtetit fqinjë.
Ai e di se me fjalorin dhe simbolet që zgjedh provokon së pari këto ekstreme duke qenë i ndërgjeqshëm gjithashtu se futja në betejë me ta i jep dy avantazhe : Imazhin e një patrioti brenda vendit dhe atë të politikanit të ndriçuar jashtë kufijve.
Po të shkojmë edhe përtjej rastit grek do të shohim se Rama përdor gjithnjë të njëjtën taktikë, atë të krahasimit me idiotët e ekstremeve.
Herën e parë kur udhëtoi për një vizitë zyrtare në Beograd, ai bëri një gjest fare normal, i kërkoi homologut të tij Vuçiç të njihte Kosovën, krejtësisht i bindur se kjo do të tërbonte koret e atyre që thërrisnin “Provokacija”. Dhe nga ky moment Edi Rama u fokusua vetëm tek replikat, batutat dhe shpotitë me ta.
Po në të njëjjtën mënyrë veproi edhe gjatë vizitës së dytë në Serbi, këtë herë duke nxitur furinë e një krahu diametralisht të kundërt, atë të romantikëve naivë që besojnë tek kombi kosovar. Edhe këtë radhë kryeministri shkoi deri në Prishtinë për ta stërgjatur debatin absurd me ata.
Këtë po bën edhe përmes polemikës me Akropol, Athinë e vjetër dhe Himarë e re.
Po provokon një debat të paqenë, po mban ndezur një përplasje të kotë, po frymëzon një sherr pa thelb, që e bën të duket i bukur përballë pasqyrës së ekstremistëve.
Në këtë kuptim Edi Rama nuk duhet marrë seriozisht as si anti grek, as si patriot, as si nacionalist. Ai është thjeshtë një narciz.
Por e keqja është se ky narciz ka peshën e fjalës së kryeministrit, fuqinë e makinerisë së tij propagandistike dhe kjo bën që klima që ai përçon të na prekë të gjithëve.
Efekti i atypëratyshëm i saj është ngërthimi i mbarë botës politiko mediatike me probleme të shpikura. Harxhimi i energjive në drejtim të gabuar dhe krejt të ndryshëm ngë problemet reale të vendit. Prandaj ai duhet shmangur. Ose thënë më fort duhet injoruar, sepse ai nuk i shërben askujt. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post