Kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli vizitoi këtë të martë kazermën e FSK-së në Mitrovicë, ku takoi pjesëtarët e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, të cilët ditë më parë fituan medaljen e artë në garën ushtarake më sfiduese dhe më prestigjioze në botë, “Cambrain Patrol”, të mbajtur në Britaninë e Madhe.
Pasi falënderoi skuadrën e Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së për suksesin e arritur në Britani, kryeparlamentari Veseli tha se suksesi i këtyre djemve, bashkë me komandanten e kontigjentit, Manusheqe Nura, e ka nderuar shtetin e Kosovës, Forcën e Sigurisë së saj dhe të gjithë qytetarët e vendit.
Kreu i Kuvendit tha gjithashtu se, me suksesin e tyre, ata dhanë edhe një dëshmi të fuqishme për profesionalizmin ushtarak të FSK-së, dëshmi për faktin se FSK-ja ka arritur standardet më të larta të kërkuara nga NATO, dhe se tani është gati të jetë pjesë e saj si kontribuese e drejtpërdrejtë për paqen kudo që i kërkohet.
FSK-ja, – shtoi kryetari Veseli, – është shembulli më i mirë që tregon se Kosova ka ecur gjithmonë përpara, duke qëndruar fuqishëm në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Europian dhe mbarë botën demokratike. Veseli tha se ky partneritet u rrit në ditët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të mbetet përgjithmonë vlerë themelore e popullit dhe shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
“FSK-ja është gati dhe shpejt do të bëhet Ushtri e Kosovës. Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë. Shpejt do ta kemi këtë ushtri, partnere të denjë të Aleancës Atlantiko-Veriore, emblemë krenare të Kosovës së zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Europian”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se kjo skuadër e shkëlqyeshme është drejtuar nga nëntogeri Ismail Hoxha, i cili vitin e kaluar u shpall kadeti më i mirë në Akademinë Ushtarake të Londrës, në mesin e kadetëve nga 30 shtete të botës.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit tha se djemtë dhe vajzat e Kosovës po bëjnë mrekulli më të gjitha garat ndërkombëtare, në sport, kulturë e aktivitete ushtarake, duke e stolisur përditë me medalje të arta, emrin dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Ai shtoi se kjo është dëshmia më e mirë se vendi ka një rini të artë, një rini që e do atdheun dhe punon me përkushtim për të ardhmen e tij.
“Manushaqe, Ismail, Fiton (djali i dëshmorit të UÇK-së, Isa Kastrati), Feti, Mensur, Valon, Kushtrim, Qemajl, Fatmir, Daut, Liridon, Nexhip, Agim, faleminderit! Krenohemi me ju! Ju jeni argumenti më i qartë se e ardhmja jonë është e sigurtë. Ju premtoj se këtë krenari do ta kthejmë në përgjegjësi të shtuar, për të punuar që suksesi juaj të pasohet nga shumë suksese të tjera në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe shtetit tonë”, theksoi kryetari Veseli.
Diskutime rreth kësaj post