Avioni malajzian me numër fluturimi “MH 370” mund të ketë rënë në mënyrë të shpejtë e të pakontrolluar në oqeanin Indian, sipas një raporti të ri.
“Boeing 777” u zhduk ndërsa po fluturonte nga Kuala Lumpuri në Pekin, me 239 persona në bord, në mars të vitit 2014. Pavarësisht kërkimeve të shumta, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e trupit të avionit.
Por Byroja australiane për Sigurinë në Transport bëri të ditur se analizat e kryera te dy pjesë të rikuperuara të krahëve, kishin treguar se avioni ishte rrëzuar në oqeanin Indian. Gjithashtu, të dhënat satelitore sugjerojnë një rënie me shpejtësi të lartë në rritje.
Raporti prej 28 faqesh, i publikuar të mërkurën, koinçidon me fillimin e një takimi treditor të ekspertëve ndërkombëtarë, për hartimin e planeve të mundshme për vazhdimin e kërkimeve për avionin e “Malaysia Airlines”. Ministri australian i Transporteve, Darren Chester, i cili po kryeson takimin në Canberra, tha se grupi do të rishikonte të gjitha të dhënat në dispozicion dhe analizat e lidhura me kërkimet.
“Vazhdojmë të shpresojmë se po kërkojmë në zonën e duhur dhe raporti i publikuar sot e konfirmon këtë. Por duke qenë se ende nuk e kemi gjetur avionin, teori e spekulime të ndryshme vazhdojnë të përvijohen”.
Një sipërfaqe prej 120 mijë km katrorë është bërë subjekt i kërkimeve intensive nga ekspertë kinezë, australianë e malajzianë. Në mungesë të një zbulimi të rëndësishëm, kërkimet pritet të mbyllen në fillim të vitit të ardhshëm. Deri më tani janë rikuperuar 20 pjesë, që janë identifikuar ose që besohet se i përkasin avionit të zhdukur.
Diskutime rreth kësaj post