Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtare e Komisionit për Integrime Evropaine, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar se qeveria e tanishme mban fajin kryesor për mosliberalizim të vizave, e jo BE-ja.
“Duhet sqaruar se fajtori kryesor për liberalizimin e vizave është vetë Qeveria e Kosovës, edhe kjo në krye me Isa Mustafën, por edhe të mëhershmet me Thaçin kryeministër. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë sepse në Kosovë mbretëron krimi i organizuar dhe korrupsioni në shkallë endemike, që nuk janë luftuar asnjëherë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Ndërkaq, sipas saj, përgjegjës për shkallën e lartë të korrupsionit janë presidenti Thaçi dhe kryetari i kuvendit Veseli.
“E për krimin dhe korrupsionin, përgjegjës kryesorë pa dyshim janë Presidenti Hashim Thaçi e Kryparlamentari Kadri Veseli, që tash po e bëjnë përgjegjëse BE-në për vonesat në këtë proces. Thaçi e Veseli, së bashku edhe me KM Mustafa janë koka të krimit që e kanë bllokuar Kosovën brenda dhe e kanë izoluar”, ka shtuar ajo.
Pavarësisht kësaj, ajo ka vlerësuar se demarkacioni si kriter për liberalizim të vizave për Kosovën është i padrejtë. Sipas Kadaj-Bujupit ky kriter nuk i është caktuar asnjë vendi tjetër nga BE-ja, pos Kosovës. Deputetja e LVV-së tutje, ka thënë se Kosova aktualisht është larg nga procesi i integrimit dhe liberalizimit.
“Jemi shumë larg. Vërtet është fatkeqësi, por jemi në gjendje tmerrësisht të keqe. Kriminelët kanë kapur secilin institucion dhe vendi po ka regres në secilën fushë”, është shprehur ajo.
Diskutime rreth kësaj post