Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se Kosova nuk është aspak afër liberalizimit të vizave.
“Kosova është akoma larg liberalizimit. Unë nuk e besoj se mund t’i marrim vizat pa pasur rezultate konkrete në luftën kundër krimit e korrupsionit”, ka thënë ai në një prononcim për Zeri.info.
Nitaj më pas, ka thënë se asnjë nga qeveritë perëndimore nuk kanë qenë të gatshme ta procedojnë liberalizimin e vizave.
“Nuk është kurrfarë fshehtësie, se pavarësisht demarkacionit, asnjë nga qeveritë e vendeve perëndimore nuk kanë qenë të gatshme ta procedojnë me liberalizimin e vizave për Kosovën. Ka pengesa të tjera, që janë të paqkapërcyeshme duket, dhe ndër to, sigurisht se është lufta e pamjaftueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”,
Ndërkaq, ai ka vlerësuar se çështja e demarkacionit është standard i dyfishtë.
Ai në një prononcim për Zëri.info, ka thënë se kur opozita e ka thënë një gjë të tillë, presidenca e qeveria as që e kanë përmendur këtë gjë.
“Çështja e demrakacionit nuk ka se si të konsiderohet ndryshe, përpos standard i dyfishtë. Këtë kusht nuk e kanë pasur asnjë nga vendet e rajonit. Problemi është se kur ne si opozitë e kemi thënë se është e padrejtë që Kosova të kushtëzohet më demarkacionin për vizat, as presidenti e as kryeministri nuk kanë bërë zë“, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, sipas anëtarit të kryesisë së AAK-së, kjo është një gjë pozitive, që tash presidenti e kryeparlamentari po konsiderojnë se BE-ja ka vënë standarde të dyfishta.
“Tash po flasin edhe ata se kjo është e padrejtë. Mirë po bëjnë që po flasin, sado që kjo tashmë mund të jetë vonë. Ata kanë mundur të kishin pasur një qasje tjetër ndaj kësaj teme, dhe që demarkacioni të ishte i përmbyllur. Nuk mjafton të thuhet diçka, por duhet të veprohet”, ka përfunduar ai.
Diskutime rreth kësaj post