Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka dhënë pazarin e tij për zgjedhjet, duke kërkuar “garanci” që të hyjë në zgjedhje. Për këtë ai ka paralajmëruar një aksion politik me tre faza. Faza e parë është deri më 28 Nëntor, kur Rama dhe Merkel mund të takohen për të njoftuar dritën jeshile për çeljen e negociatave. Deri më 28 Nëntor, Basha shpreson ta shtyjë me protesta. Siç është zakon, ato paralajmërohen si pëmbysëse dhe më të mëdhatë e historisë, por përfundojnë me ndonjë thyerje xhami tek Ministria e Transporteve, ose djegie bunkeri.
I bindur se protestat mund të mos bëjnë gjë, ai ka paralajmëruar hapin e dytë të fortë, që pritet të jetë bojkoti i Kuvendit, prej muajit janar, ose dhe nga fillimi i dhjetorit. Bojkoti shpreson t’i japë shanse të mos jetë në Kuvend, të mos diskutojë për reformën zgjedhore dhe ta paraqesë atë pastaj si një arsye për të hedhur hapin e tretë, bojkotin e zgjedhjeve
E gjithë strategjia e tij prej gati një viti është ndërtuar pikërisht për t’i shpëtuar ballafaqimit me zgjedhjet dhe shpallja i humbur pas tyre.
Duke qenë se kjo është një skemë që ja njohin të gjithë, më shumë se sa kundërshtarët e vet politikë, ai ka mundësi të prodhojë konflikt me këtë skemë me kundërshtarët e tij brenda në parti.
Bojkoti i Kuvendit dhe pastaj bojkoti i zgjedhjeve, i krijon atij një pakicë njerëzish dhe aleatësh të pabindur brenda PD-së.
Por më e keqja e madhe për Bashën është LSI. Në kushtet e një mosbesimi të thellë mes LSI e PS në koalicionin aktual, ka jo pak shanse që ata të mos dalin bashkë në zgjedhje, edhe pse bëjnë sikur përkëdhelen me njëri- tjetrin. LSI është sot një forcë politike me pretendime të fota elektorale, që nuk pranon t’i thuash forcë e tretë, dhe kjo, pavarësisht sa afër realitetit është, përbën një kërcënim serioz për PD-në e Lulzim Bashës.
Që Basha të ketë mundësi të shantazhojë Edi Ramën, duhet jo vetëm të mos e diskutojë, siç bën si “Haxhi Pishani” para çdo palë zgjedhjesh, por duhet të dëshmojë epërsi morale dhe organizative para zgjedhjeve për t;u shfaqur si konkurrent i sigurtë.
Kështu si sillet Lulzim Basha dhe kaq i vendosur sa është Ilir Meta, rreziku kryesor për Bashën nuk vjen më nga PS, por nga LSI. Në rast bojkoti të Kuvendit dhe pastaj të zgjedhjeve, LSI është një parti opozitare e denjë dhe e sinqertë e PS, dhe rrezikon ta fshijë nga harta elektorale PD. Së bashku me pakicat brenda PD që janë kundër bojkotit dhe partitë e vogla aleate të PD, Ilir Meta mund të bëhet ashtu siç ka premtuar, ose kryeministër, ose lider i opozitës së ardhshme.
Kështu që çdo përpjekje e Bashës për të shantazhuar Edi Ramën, në fakt është më shumë një shpresë për LSI, për t’u bërë rivali kryesor i Edi Ramës, se sa një frikë apo stepje e PS nga PD. Lulzim Basha më shumë se sa ka në në dorë fatin e PS, ka në dorë t’i japë shanse LSI, të bëhet konkurrenti kryesor i PS, duke shfrytëzuar faktin e vërtetë që politika e sotme në Tiranë, është trepolare, pavarësisht “martesës me letra” PS – LSI.
Prandaj, Basha lodhet kot që në përpjekje për të siguruar alibinë e humbjes së tij, të shantazhojë PS-në. Përveç faktit që Rama nuk duket i shqetësuar prej tij, Basha dhet të kuptojë se po i hap rrugën realisht një opozite të re të Edi Ramës, e cila di ta luftojë atë, shumë herë më mirë se Lulzim Basha, dhe ajo është LSI. Sot rreziku i Bashës, nuk është ndonjë kritik brenda PD, as dhe aleatët e pakënqur të tij me bojkotin. Sot rreziku më i madh i Bashës dhe PD, është se çdo dobësi e tyre, për shkak të lidershipit, është një avantazh për një parti që është jo vetëm e mirëorganizuar, por dhe me një lidership efiçent, si LSI. Bile dobësia e deritanishme e PD, është një arsye e fortë që e bën LSI nervoze, pasi nuk i bën dot presion Ramës për një aleancë me PD, pasi ajo është aq e dobët, sa nuk jep shumë shpresa. Më shumë shpresa për LSI, ngjall ideja se Basha do bojkotojë zgjedhejt dhe LSI do ta zëvëndsojë në rolin kyç të kundërshtarit të PS. Dhe pastaj Basha nuk ka ku ta justifikojë humbjen tek Berisha, pasi nuk do t’i duhet më askujt PD. As Berishës. Ai e ka më lehtë të mbrohet nga Meta në të ardhmen, se sa të mbrojë Bashën.
Diskutime rreth kësaj post