Shkelja e Kushtetutës dhe nënshkrimi i marrëveshje të dëmshme për vendin sipas opozitës janë arsyet kryesore pse kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje sa më parë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Zgjedhjet janë domosdoshmëri, ngase Qeveria tashmë nuk ka asnjë fije legjitimitet”, ka thënë Teuta Rrusta, koordinatore për qendra në Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo ka shtuar se kjo Qeveri ka cenuar rendin kushtetues andaj edhe nuk e meriton më tutje të qeverisë. “Kjo qeveri që gjatë krejt mandatit të saj tentoi t’ia imponojë qytetarit vetëm dy projekte jashtëzakonisht të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin e vendit – “Zajednicën” e Demarkacionin me Malin e Zi – ka shkelur 23 herë Kushtetutën.
Ky cenim ndaj rendit kushtetues dhe mosrealizimi i asnjë premtimi të vetëm elektoral është arsye e mjaftueshme që kjo qeveri të mos vazhdojë më tutje”, ka thënë Rrusta. Ajo ka thënë se “Kosovës nuk i duhet kjo qeveri që veç e cenon çdo ditë sovranitetin, sjellë varfëri e mjerim dhe kushtëzohet e bllokohet për çështjet jetike për Kosovën nga Lista “Srpska” e Beogradi”, shkruan zeri.info
Ndërkohë, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se koalicioni qeverisës ka krizë legjitimiteti dhe ajo po shihet çdo ditë në punët e saj.
“Ky koalicion ka krizë legjitimiteti dhe kjo vërehet edhe ditëve të fundit ku Qeveria po kontrollon edhe Kuvendin. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme duhet të ndodhin menjëherë. Në këtë mënyrë do të lihej vendi për ardhjen e një Qeverie të përgjegjshme ku secili do të bënte punën e tij në mënyrë profesionale”, ka thënë Haxhiu.
Diskutime rreth kësaj post