Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Listës Serbe lidhur me Ligjin për Trepçën, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Ligji për Trepçen është kushtetues për nga përmbajtja dhe nga procedura e ndjekur për miratim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thekson vendimi i saposhpallur, ndërsa refuzon kërkesën për masë të përkohshme si të paaplikueshme.
Gjykata vendosi të “shpallë që Ligji për Trepçën, siç është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje”.
Po ashtu vendosi “t’ua kumtojë këtë vendim parashtruesve të kërkesës, Presidentit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi ta publikojë këtë vendim në fletoren zyrtare dhe të shpallë që ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Në 13 tetor 2016 subjekti politik kosovar Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me Ligjin për Trepçën, miratimin e të cilit e ka kundërshtuar më parë edhe në qeveri e Kuvend, kur është miratuar.
Me Ligj është parashikuar që statusi i Trepçës të jetë shoqëri aksionare, qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërsa 20 %-shi do t’u takojë punëtorëve.
Ligji është kundërshtuar me deklarata edhe nga Beogradi, madje në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar.
Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para 17 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje. Brenda 45 viteve, nga viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.
Diskutime rreth kësaj post