Të hënën pritet të konstituohet komisioni hetimor që ka objekt të tij kontrollin e zbatimit të ligjit në përdorimin nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit të pajisjes “IMSI Catcher”, si dhe realizimin përmes saj të përgjimeve të paligjshme.
Komisioni, i ngritur më 6 tetor me një vendim të parlamentit pas kërkesës së opozitës, që pretendonte se pajisja është përdorur në përgjime të paligjshme, synon parandalimin e këtij fenomeni negativ për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.
Gjithashtu, objekt i hetimit parlamentar është dhe verifikimi i mënyrës së përdorimit dhe lëvizjes së kryer nga kjo pajisje, si dhe mjetit ku ajo ndodhej.
Komisioni hetimor i përbëre nga 9 deputetë, do të drejtohet nga Flamur Noka i PD-së, ndërsa nënkryetar do të jetë Pjerin Ndreu i PS-së. Mazhoranca përfaqësohet me deputetët Piro Lutaj, Paulin Sterkaj, Xhemal Qefalia dhe Luan Rama, ndërsa PD me Keltis Kruja, Asllan Dogjani dhe Alban Zeneli. Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat 4-mujor.
Debati për përgjimet e paligjshme nisi rreth 4 muaj më parë kur opozita akuzoi qeverinë se pajisja IMSI Catcher, e ardhur në Shqipëri në muajin mars nga misioni italian dhe zyra e tij ndërlidhëse në Tiranë, në kuadër të trajnimeve për policinë shqiptare, ishte përdorur në përgjime të paligjshme.
Me nisjen e hetimeve nga Prokuroria, në muajin qershor Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së organit të akuzës, pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, ndërsa dha masën e arrestit në shtëpi për dy zyrtarë të tjerë. Pezullimi i drejtorit Çako lidhej me dyshimet e organit të akuzës se Policia e Shtetit nuk kishte ndjekur procedurat ligjore dhe doganore për futjen në Shqipëri të pajisjes IMSI Catcher. Por, dy javë me pas, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi rikthimin në detyrë te drejtorit Çako.
Ndërkohë, Policia Shqiptare dhe ajo italiane deklaruan se pajisja erdhi në Shqipëri vetëm për trajnime dhe nuk kishte programe përgjimi. Pajisja, sipas tyre, ishte vazhdimisht në duar të trajnuesve italianë dhe në asnjë rast nuk u përdor për përgjimet e pretenduara nga opozita./
Diskutime rreth kësaj post