Lufta ndaj informalitetit që nisi në shtatorin e vitit të kaluar ka hyrë në një fazë të dytë. Drejtoresha e re e Tatimeve, Vasiliko Vjero zbulon në një intervistë për Top Channel se cilat janë bizneset që do të kalojnë në sitën e imët të administratës tatimore.
Sipas saj, sistemi kompjuterik i Tatimeve ka përzgjedhur 6 degë, të cilat rezultojnë me risk të lartë për evazion dhe këto degë do të jenë targeti kryesor i kontrolleve.
“Janë 6 sektorë ku puna jonë do përqendrohet, që janë: tregtia me pakicë e shumicë, hoteleri-turizmi, restorantet, ndërtimi, profesionet e lira dhe bujqësia. Këta janë sektorët ku do të përqëndrohen shumica e kontrolleve dhe vlerësimeve”, deklaron Vjero.
Drejtoresha e re e Tatimeve thotë se kontrollet e shpeshta qe acaronin bizneset tani do të rrallohen dhe do të kryhen vetëm mbi bizneset e përzgjedhura nga sistemi kompjuterik i riskut.
“Ne do reduktojmë dhe janë reduktuar maksimalisht vizitat e inspektorëve pranë njësive ku bizneset zhvillojnë aktivitetin. S’ka pse inspektorët të trokasin çdo ditë, por vetëm kur ky biznes paraqet një risk”, sqaron Vjero.
Por a duhet bizneset e tjera të flenë të qeta? Sipas drejtoreshës së Tatimeve, lufta kundër informalitetit do të vazhdojë dhe algoritmi i riskut mund të nxjerrë emra të tjerë.
“Sigurisht që lufta ndaj informalitetit do të shtrihet në të gjitha nivelet e tatimpaguesve. Nuk do të thotë që sektorët e tjerë me më pak risk nuk do të jenë në fokus të luftës ndaj informalitetit”, nënvizon Vjero.
Por çfarë do të ndodhë me 31 mijë bizneset e gjobitura gabimisht nga sistemi i Tatimeve? “Nuk do ketë veprime me forcë për këto detyrime sepse kjo kategori do përfitojë nga ligji i faljeve”, shton Vjero.
Sipas saj, administrata tatimore është duke pritur vetëm që qeveria të miratojë ligjin në Parlament për t’i zeruar këto 31 mijë gjoba në sistem.
Diskutime rreth kësaj post