Angazhimi i shtuar ushtarak i Rusisë në kufijtë e Europës i ka detyruar NATO-n dhe shtetet më të rëndësishëm të Perëndimit të tregojnë se zotërojnë aftësi për t’u përballur me Vladimir Putinin. Në përpjekjen më të madhe prej Luftës së Ftohtë, NATO dhe Rusia nuk po ngurojnë të shpalosin arsenalin që zotërojnë.
Britania e Madhe pritet të vendosë trupa, tanke dhe avionë në Estoni për t’i bërë ballë një agresioni të mundshëm rus, ndërsa forcat britanike dhe ato rumune do t’i bashkohen një batalioni amerikan në Poloni. Kjo vlerësohet të jetë zhvendosja më e madhe ushtarake në Europën Lindore prej Luftës së Ftohtë, ndërsa aviacioni britanik është angazhuar për herë të parë edhe në patrullimin e hapësirës ajrore të Rumanisë.
Të gjitha lëvizjet, sipas shtypit ndërkombëtar, synojnë të frenojnë Moskën nga rimarrja e vendeve që dikur kanë qenë satelite të saj, ashtu siç u veprua në Krime dhe Ukrainë.
Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara se vendet europiane do të arrijnë të ndërtojnë 4 grupe luftimi me rreth 4 mijë trupa, si pjesë e reagimit të NATO-s ndaj Rusisë. Më shumë trupa do të dërgohen në vendet balltike dhe në lindje të Polonisë në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo do të mbështetet nga forca e reagimit të shpejtë të NATO-s, që numëron 40 mijë trupa.
Franca, Danimarka, Italia dhe aleatë të tjerë pritet t’u bashkohen 4 grupeve të luftimit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe dhe Kanadaja për t’u vendosur në Poloni, Lituani, Estoni dhe Letoni, me forca do të jenë të përbëra, duke nisur nga këmbësoria, deri te dronët.
Së fundmi, Rusia zbuloi disa foto të raketës më të madhe bërthamore “Satan 2”, që vlerësohet se është e aftë të shkatërrojë një vend me sipërfaqe sa Franca. Gjithashtu dje u njoftua se Putin ka lëshuar një raketa balistike “RS-18”, që mendohet të jetë pjesë e një testi për t’u përballuar me sistemin mbrojtës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë sot, rreth 130 qendra ushtarake në Rusi dhe 6 vende kufitare me të janë vendosur në gatishmëri të lartë, si provë për të testuar aftësinë e rajonit për të përballuar një sulm nga Perëndimi. Nuk kanë munguar edhe testet kundër një sulmi bërthamor.
Disa vende të NATO-s, përfshirë Estoninë, janë të frikësuar se ato mund të jenë në listën e ardhshme të goditjeve të presidentit rus, Vladimir Putin. Për këtë arsye, bazuar edhe në Traktin e Aleancës, vendet më të mëdha kanë detyrim për t’i mbrojtur. Rreth 800 trupa britanike do të vendosen në Estoni gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa do të ketë angazhim edhe nga shtete të tjerë të NATO-s.
Shqipëria sakaq njoftoi dje se do të kontribuojë me trupa ushtarake në Letoni, ku ndodhen forcat e NATO-s, të drejtuara nga Kanadaja. Për këtë është diskutuar gjatë ditës së parë të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, mes ministres shqiptare, Mimi Kodheli, homologut të saj kanadez, Harjit Singh Sajjan dhe atij letonez, Raimonds Bergmanis
Diskutime rreth kësaj post