Çfarë ndodhi dje në gjykatën kushtetuese? A ishte i drejtë vendimi i saj për “ngrirjen” ligjit të vetingut? Cilat qenë kulisat që u luajtën dhe si u argumentua një vendim i tillë? Gjykata Kushtetuese vendosi dje me shumicë votash pezullimin e zbatimit të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ose siç njihet ndryshe, ligji i vetingut”. Burime nga kjo gjykatë të cituara nga gazeta “Panorama” theksojnë se rrezultati i votimit ka qenë 6 me 2 në favor të “ngrirjes” ndërkohë që gjyqtari i nëntë i Kushtetueses, Sokol Berberi, mësohet se nuk ka marrë pjesë në mbledhje, pasi ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen.
Po cili qe arsyetimi i 6 gjyqtarëve që votuan pro kërkesës së paraqitur nga 1/ 5-a e deputetëve të Partisë Demokratike për pezullimin e ligjit të vetingut?
Ata kanë vendosur që të dërgojnë në Komisionin e Venecias ligjin e vetingut, për t’i kërkuar një vlerësim nëse është i papajtueshëm ose jo me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ajo që nuk është thënë publikisht është pretendimi i këtyre gjyqtarëve se ata janë në konflikt interesi për të shqyrtuar këtë çështje. në fakt kjo është e vërtetë. “Vetingu” do të hetonte të parët anëtarët e gjykatës së lartë dhe të prokurorisë.
Por, pavarësisht nga ky pretendim i pa publikuar duket se halli i gjykatësve kushtetues ka qenë tjetër. Ka qenë trysnia e të dyja palëve të politikës për të përplasur tek ata këtë patate të nxehtë. Një arsye tjetër është fakti se edhe gjykatësit kushtetues janë ndikuar një mendim unanim i gjithë trupës gjyqësore të vendit e cila beson se një klasë politike krejtësisht e korruptuar nuk mund ta lërë njollën e hajdutllëkut vetëm tek togat e zeza. Prandaj ata janë prirur ta vonojnë këtë hallkë të domosdoshme për implementimin e reformës në drejtësi.
Por ky vendim për të mos marrë vendim ka ngritur dy pikpyetje të mëdha. E para kjo gjykatë i është drejtuar edhe më parë Venecias, me pikpyetjet se a mund të gjykojë çështje ku ndonjë anëtar i saj apo e gjithë trupa gjendet në konflikt interesi. Dhe ajo ka marrë përgjigjen se po mund ta gjykojë një çështje të tillë.
Kështu gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim të saj kundër ligjit të lustracionit të qeverisë berisha, megjithëse ishte në konflikt të pastër interesi.
Problemi i dytë me këtë “ngrirje” është se duke e çuar në Komisionin e Venecias për interpretim, Kushtetuesja është treguar formalisht e paaftë për ti dhënë zgjidhje një problemi dhe për të vërtetuar përputhshmërinë e tij me ligjin themeltar të vendit?
A janë vërtet të paaftë 8 gjykatësit kushtetues që votuan të martën? Vështirë të thuhët. Vendimi i djeshëm më shumë i ngjan një manovre taktike për të mos u bërë sanduiç në trysninë e fortë mes palëve politike. Dhe duke qenë se kjo “ngrirje” i shkon për shtat edhe shumicës së komunitetit të gjyqtarëve që janë kundër reformës dhe drejtësi dhe mënyrës si po kryehet ajo, kushtetusja mori vendim, për të mos marrë vendim.(Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post