Në kuadër të muajit antitrafik në Tiranë, nxënës të shkollave 9-vjeçare, të mesme e viktima të trafikimit, kanë çelur një ekspozitë me piktura. Ajo u vizitua edhe nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Pasi u shpërndanë disa çmime, Tahiri kërkoi nga pjesëmarrësit në konkurs që disa punimeve të ekspozohen në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
‘’Më thanë që ju duhet t’i merrni mbrapsht. Unë do ju kërkoja miqësisht të na i lini për pak kohë t’i ekspozojmë te Ministria e Punëve të Brendshme në mënyrë që vizitorët e Ministrisë, – apo të organizojmë dhe ca ekspozita të tjera, – të shohin artin tuaj, imagjinatën tuaj, për probleme që sot janë probleme jo të vogla për shoqërinë ’’, tha ministri.
Tahiri ftoi gjithashtu nxënësit të ndjekin nga afër një ditë nga puna e tij, në zyrën e ministrit, për të kuptuar problematikat e përditshme.
‘’Bashkë me organizatorët, unë do kisha shumë dëshirë që, ndoshta mbi baza javore, disa prej jush të vinin dhe të vizitonin zyrën time, mund të shpenzonim disa orë bashkë. Juve të ndiqni mënyrën si punojmë ne në Ministrinë e Punëve të Brendshme, unë të kem fatin e madh të asistohem prej jush gjatë ditës së punës dhe të shpenzojmë pak kohë më shumë, për të njohur problemet që janë probleme tonat dhe të cilat nesër do ju vijë dita t’i zgjidhni ju’’, shtoi Tahiri.
Koordinatorja Kombëtare kundër Trafikimit u shpreh se Shqipëria është e prekur nga ky fenomen dhe plagët janë të rënda, ndaj duhet përballje qytetare.
“Ju çdo ditë mësoni për fenomenet sociale pozitive dhe negative. Trafikimi i personave është një nga fenomenet më të rënda sociale dhe globale. Por këto fenomene kërkojnë në përballje qytetarë të përgjegjshëm dhe aktivë, profesionistë të mirëinformuar dhe të dedikuar”, theksoi Gjebrea.
Diskutime rreth kësaj post