Koncesioni i dytë më i rëndësishëm në industrinë e kromit vend zgjidhet në mënyrë të menjëanshme pasi kompanitë që e kishin atë nuk plotësuan asnjë kusht të kontratës.
Ministria e Industrisë me anë të një shkrese zyrtare të datës 20 tetor, njofton se shkaku për zgjidhjen e menjehërshme të kontratës është se “KURUM”, së bashku me ortakun kinez “Sichuan International Group Ltd”, nuk kanë përmbushur kushtet e kontratës.
Sipas dokumentit, shkeljet e koncesionarit janë të shumta. Më konkretisht, Ministria vëren se “KURUM” dhe kompania “Sichuan” nuk kanë realizuar planin e detyrueshëm të investimeve, nuk kanë filluar prodhimin sikurse detyrohet nga kontrata koncesionare, si dhe nuk kanë paguar në shtet tarifën vjetore të koncesionit prej 303 mijë eurosh.
Për këto arsye, Ministria ka vendosur zgjidhjen e menjehërshme të kontratës dhe rikthimin e këtyre pasurive në pronësi të shtetit. Ajo e Kalimashit është miniera e dytë më e madhe e kromit në vend, pas Bulqizës. Sipas vlerësimeve zyrtare, rezervat e kromit në këtë minierë llogariten në 7.9 milionë tonë, me pastërti 25 për qind.
Kompleksi minerar i Kalimashit është shfrytëzuar gjatë kohës së komunizmit, por gjatë viteve ’90, për shkak të largësisë së madhe nga bregdeti, si dhe rënies së çmimit të kromit në tregun ndërkombëtar, miniera u shpall disa herë e falimentuar.
Në vitin 2000, qeveria e kaloi kompleksin “në konservim” deri në vitin 2010, kur iu dha me koncesion bashkimit të shoqërive “KURUM” dhe “Sichuan”.
Diskutime rreth kësaj post