Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në muajin gusht, huatë e pakthyera në afat u ngjitën në 21.4 për qind të totalit, duke kaluar në vendin e parë në rajon për këtë tregues.
Falimentimet e mëdha, me efekt zinxhir dhe kriza e sektorit të naftës rezultojnë arsyet kryesore të këtij përkeqësimi në pjesën e parë të këtij viti. Tashmë Serbia që ka qenë e para në rajon për nivelin e kredisë me probleme që në qershor e ka zbritur treguesin e saj në 20.2%, sipas tabelave të publikuara në raportin e tremujorit të tretë të Komisionit Europian.
Mali i Zi, një tjetër shtet problematik me kthimin e kredive, i ka ulur huatë me probleme në 11.7% në fund të tremujorit të dytë, nga më shumë se 22% në vitin 2010, përmes një strategjie për reduktimin e tyre, të ashtuquajtur “Plani Podgorica”, ku ristrukturimi i kompanive ka qenë në thelb të planit, duke u shoqëruar me një monitorim të rreptë të bankave.
Shtetet e tjera të rajonit, Maqedonia, Bosnja e Kosova nuk kanë qenë problematike për sa i përket kthimit të kredive, në raport me vendet e sipërpërmendura dhe duket se vijojnë ta mbajnë nën kontroll këtë tregues.
Në Maqedoni, p.sh., niveli i kredisë me probleme u ul në 7.2% në fund të tremujorit të dytë, nga 10.3% në fund të vitit 2015. Edhe Bosnja i ka ulur kreditë problematike nga 15.2 në 2014-n, në 12.1% në fund të qershorit 2016, ndërsa në në Kosovë, në vetëm 5.3% e huave të dhëna, nuk janë kthyer në afat në banka.
Diskutime rreth kësaj post