Deputeti i Partisë Socialiste, Parid Cara, është i bindur se koalicioni qeverisës PS-LSI do të vijojë të bashkëpunojë edhe për një mandat qeverisës.
Në një intervistë për “Panorama”, Cara deklaron se nuk është i largët momenti kur Rama e Meta të ulen për të diskutuar formalitetet e këtij bashkëpunimi.
Cara flet edhe për largimin e Blushit nga PS-ja, duke sqaruar se kostoja e tij do të duket në momentin që ai vetë do të provojë në zgjedhje “se sa i vlen lëkura”. Megjithatë, sipas deputetit socialist, PS-ja është një parti e hapur dhe do ta pranonte një rikthim të tij.
Deputeti i PS-së ngre edhe shqetësimin për disa ministra të kabinetit qeverisës, që nuk u hapin telefonat deputetëve, duke u kujtuar se kur sjellin ligje në Parlament, kërkojnë votat e deputetëve për t’i kaluar.
Ditët e fundit ka pasur një debat sa i përket çështjes çame dhe deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili i ka thënë Shqipërisë të mos krahasohet me Greqinë, pasi është në disavantazh në të gjitha fushat. Si e vlerësoni reagimin e institucioneve shqiptare?
Javën e kaluar ka pasur dy zhvillime shumë të rëndësishme sa i përket çështjes çame dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë. Fillimisht ishte deklarata e Komisionerit të Zgjerimit në Komisionin Europian, i cili në përgjigje të kërkesës së një eurodeputeteje greke e përmendi këtë çështje me emër, duke konfirmuar se edhe në kancelaritë më të rëndësishme europiane çështja çame ekziston. Kjo sigurisht nuk i erdhi për mbarë Greqisë, e cila priste rastin më të parë për t’iu përgjigjur Brukselit. Në të njëjtën kohë, si për koincidencë ishte vizita e zotit Meta në Athinë dhe ku kjo çështje, edhe për shkak të qëndrimit të Brukselit, nuk mund të injorohej. Ndonëse nuk isha pjesë e delegacionit që shoqëronte kryetarin e Kuvendit në këtë vizitë dhe nuk i di detajet, reagimi i Athinës m’u duk më shumë si një shfryrje për deklaratën e Komisionerit. Nuk është as vendi dhe as momenti për të bërë krahasime mes Greqisë dhe Shqipërisë, aq më pak krahasime në fushën e sigurisë. Me sa duket, grekët e harrojnë që ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe krahasime të tilla janë të papranueshme. Në të kundërt, institucionet shqiptare zgjodhën ta kalojnë në heshtje këtë deklaratë të ministrit të Jashtëm grek, ndonëse thirrja për sqarime e ambasadores së Greqisë në Tiranë duhej të bëhej nga Ministria jonë e Jashtme.
Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndonëse nuk ka ende një qëndrim se cila do të jetë marrëdhënia me LSI-në. Në gjykimin tuaj, a duhet që Rama dhe Meta të kërkojnë një mandat tjetër së bashku?
Jemi ende herët për të diskutuar për mënyrën se si duhet të dalin në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm PS-ja dhe LSI-ja. Dy partitë kanë një marrëveshje që i mban bashkë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe përpara këtyre zgjedhjeve është procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Besoj që në interesin e të gjithë të majtëve është që koalicioni për Shqipërinë europiane të jetë sërish i bashkuar, njësoj si në vitin 2013, pasi në këtë mënyrë garanton fitoren edhe për një mandat të dytë, për të vijuar më tej reformat që nisi në këto katër vitet e para. Kam bindjen se do të jetë e afërt dita kur dy kryetarët e partive kryesore të koalicionit do të ulen për të diskutuar formalitetet e këtij bashkëpunimi.
Ditët e fundit dy deputetë, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, janë larguar nga Partia Socialiste dhe do të krijojnë një forcë të re politike. I prish punë PS-së çarja brenda së majtës dhe si e vlerësoni këtë iniciativë të Blushit?
E kam ndjekur lëvizjen e ditëve të fundit që kanë bërë dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi e Mimoza Hafizi, dhe ishte e pritshme që ata të largoheshin nga PS-ja. Se sa do ta penalizojë ky largim Partinë Socialiste, këtë nuk di ta them, pasi Blushi duhet të provohet në zgjedhje “se sa i vlen lëkura”. Natyrisht, historia e këtyre 25 viteve të Partisë Socialiste ka pasur fenomene, kur deputetë të saj janë larguar dhe prapë janë rikthyer. PS-ja është një parti e hapur dhe demokratike e kam bindjen se strukturat e saj do ta pranojnë sërish Blushin, pasi të ketë kuptuar që ka gabuar.
Vitin e fundit PS-ja është afruar shumë me PDIU-në, aq sa në korridoret politike flitet për një zëvendësim që Rama po i bën Shpëtim Idrizit me Ilir Metën. Mund t’i garantojë PS-së fitoren një parti si PDIU-ja, në rastin kur Meta mund të mos jetë pjesë e koalicionit të majtë?
Partia Socialiste është e hapur për të pranuar në koalicionin që ajo drejton të gjitha forcat politike që përthithin programin e Rilindjes. Besoj se ky kriter do të kihet parasysh edhe kur të diskutohet me partitë e tjera të së majtës dhe të qendrës për të krijuar një koalicion fitues në 2017-n. PDIU-ja është një forcë politike që është rritur vitet e fundit dhe natyrisht afrimi i saj në koalicionin e majtë i maksimizon votat dhe rrit shanset për një fitore të thellë vitin e ardhshëm. Krijimi i një koalicioni të madh, i udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama, do të na garantojë ne një shumicë të qëndrueshme në Parlament.
Pak javë më parë ju keni kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që nuk i është përgjigjur një kërkese për të larguar një drejtor të paaftë në Kavajë. Cilat janë marrëdhëniet në grupin e PS-së mes deputetëve dhe ministrave, vijojnë ata që të mos i hapin telefonat?
Prej disa kohësh i kam kërkuar ministrit të Shëndetësisë që të bëjë një ndryshim në Kavajë, pasi një prej drejtorëve nuk është në nivelin që kërkon ai pozicion. Nuk pata asnjë reagim nga ministri, prandaj dhe u detyrova ta bëja publik rastin. Kanë qenë jo të pakta rastet kur ministrat kanë bërë emërime nëpër zona pa u konsultuar më parë me deputetët e zonave, dhe pastaj jemi ne ata që përballemi me problemet e qytetarëve. Janë, gjithashtu, jo të pakta rastet kur ministrat nuk u hapin telefonat deputetëve, aq sa kjo çështje është ngritur edhe në mbledhjet e grupit parlamentar. Ndonjë prej tyre e harron që mbështetja e deputetëve u duhet si në komisionet parlamentare, ku ata sjellin projektligjet, ashtu edhe në seancë.
Diskutime rreth kësaj post