Jorina Mataj ishte personazhi i radhës në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”.
Ajo vjen nga qyteti i Vlorës dhe prej katër vitesh ka humbur babain e saj. Këtë ndarje të parakohshme nga jeta të tij, e ka përjetuar shumë keq. Për të është kujdesur halla e saj, Ylvija, e cila jeton në qytetin e Kuçovës. Sot Jorina ka një mesazh shumë të fortë për të. Për moderatorin Ardit Gjebrea, ajo rrëfen minutat e fundit të babait të saj dhe amanetet që ai i la
“Babai im ka vdekur në një nga ditët më të lumtura dhe ne nuk e prisnim vdekjen e tij. Në momentin që shoku i tij do martohej, kishte shkuar tek dasma të festonte. Në momentin kur erdhi në shtëpi, kemi biseduar të dy vetëm deri natën vonë, kemi qeshur dhe më pas shkova për të fjetur. Më pas dëgjoj një ulërimë të mamit, që më trembi sepse babi në ato momente ishte duke dhënë shpirt. Kur shkoj të shikoj çfarë kishte ndodhur, e shikoj babin të shtrirë në koridor. Duke më kapur tek dora fort, aty kisha edhe hallën, e cila më ka qëndruar pranë në çdo moment. Kur kam qenë aty dhe pashë babin ishte një bombë për mua ajo që pashë, që sot është një nga kujtimet e mia më të këqija. Ai më kapi tek dora dhe më thotë duke më lënë dy amanete shumë të forta për mua. Njëra është që unë të përfundoja studimet dhe ai dëshironte që unë të bëhesha mjeke, ndërsa amaneti tjetër ishte që unë të kujdesesha për motrën dhe për vëllain sepse ai nuk do të ishte më me ne. Ndërsa hallës i thotë vetëm një amanet, i thotë që donte të kujdesej për mua, pasi unë kisha moshën më delikate dhe isha edhe fëmija më i llastuar në shtëpi. Halla e ka mbajtur si mision, nga dashuria që kishte për të vëllanë dhe më ka qëndruar pranë në çdo moment. Ajo më ka qëndruar pranë edhe kur kam qenë sëmurë, pasi nga humbja e babait kalova një stres shumë të madh dhe sot e kësaj dite vuaj ende nga dobësimi i nervit. Nga vdekja e tij, unë nuk haja ushqim, qëndroja e vetme në dhomë, nuk doja të flisja me asnjë, jeta për mua ishte e kotë. Isha shumë e lidhur me të. Halla më qëndronte pranë dhe mami gjithashtu. Ajo më priste te dera e shkollës, sepse unë nuk tregoja fare interes për asgjë. Debatonte me mua sepse unë nuk doja të shkoja në shkollë. E gjithë kjo gjendje zgjati tri vite.”
Jorina tregon për ditët e saj që tashmë nuk ishin më të gëzuara, çdo gjë për të ishte gri dhe e zymtë. Mjekët e kishin këshilluar që ajo të harronte çdo gjë, por në fakt e tillë skene, nuk mund të harrohet kurrësesi, thotë Jorina. Halla e saj është kujdesur për të në çdo moment, duke e ushqyer, duke e çuar në shkollë etj. Por Jorina nuk zbatonte asgjë nga porositë që halla i jepte, duke e bërë që të mërzitej dhe të derdhte lot.
Nga ana tjetër edhe mamaja e Jorinës po kalonte momente të vështira, pasi po vuante dyfish fatkeqësinë që e pushtoi.
“Mami u prek shumë nga kjo gjë, sa vinte edhe sëmurej. Një ditë dëgjova që ajo po fliste me hallën time, i tha që jam shumë e shqetësuar për Jorin, nuk më zë gjumi natën duke menduar se çfarë mund të ketë, çfarë duhet të bëjë unë që ajo të bëhet si motra dhe vëllai i saj. Ajo po qante! Nuk i durova dot lotët e saj dhe dal nga dhoma dhe shkoj të përqafoj mamin. Pas këtij momenti çdo gjë filloi të ndryshojë tek mua, ndoshta pasi unë kisha kohë që nuk e përqafoja, nuk i flisja dhe nuk këshillohesha me të për asgjë. E hodha të gjithë dashurinë që kisha tek babi, mamit. Fillova të reflektoja duke menduar se duhet të bëhem e fortë për mamin, duhet të çoj në vend amanetin e tim eti, për t’u kujdesur për motrën dhe vëllain. Dua t’i them edhe hallës që ajo të mos ketë më merakun që ka pasur për mua sepse ajo edhe sot e kësaj dite është me lot në sy. Unë dua t’i them asaj që të mos qajë më për mua, sepse unë do të bëhem e fortë, do t’i çoj ato amanete në vend dhe dua që ata të ndjehen krenarë për mua.”
Jorina ka fituar shkollën e lartë për Juridik, por halla e saj nuk e priti mirë këtë fakt. Babai i Jorinës gjithmonë ka dashur që ajo të bëhej mjeke ose kirurge. Por për të, ky profesion është shumë i vështirë, pasi ajo është e dobët shpirtërisht për t’u bërë mjeke.
Ajo e solli hallën e saj në këtë studio, për t’i kërkuar falje të çdo gabimi që ka bërë, që e ka bërë atë të qaj, që nuk çoj dot amanetin e babait në fund për t’u bërë mjeke. Por ajo ishte aty edhe për ta falenderuar për të gjithë mundin, që ajo ka bërë për Jorinën.
“Ti je heroina ime, pa ty nuk do të isha sot këtu ku jam, të merrja guximin dhe të të kërkoja falje për të gjitha gjërat që të kam shkaktuar”.
“Shpirti i hallës, unë jam krenare për ty, dua të të shikoj të të qeshi fytyra gjithmonë zemra ime! Halla të do fort!”
Dashuria e Jorinës për hallën e saj është e pafundme dhe ajo vazhdimisht i thotë se do ta bëjë krenare atë dhe familjen e saj. /Tv klan/
Diskutime rreth kësaj post