Bujar Nishani vijon të dëshmojë se nuk ka ndërmend të jetë kreu i shtetit, sipas standartit që ja përcakton Kushtetuta, por një zgjatim i padeklaruar i një pale politike.
Sulmi i tij i të premtes ndaj qëndrimit të kryeministrit Rama në Beograd përbën një tjetër incident, në listën e gjatë të përplasjeve që presidenca ka provokuar me qeverinë dhe më saktësisht njërin komponent të saj: Partinë Socialiste.
Afrimi i fundit të mandatit të tij presidencial nuk po e ul asfare nivelin e antagonizmit dhe ashpërsinë e deklarateve e veprimeve kundër shumicës që qeveris vendin.
Konsekuent në linjën e tij të politizuar, Bujar Nishani është parë nga opozita e djathtë si qendra më e madhe e pushtetit, në majën e piramidës shtetërore.
Prej të cilës buronin më pas (deri tani, kur reforma në drejtësi shembi thuajse gjithçka), pushtete të tjera të forta në gjyqësor, prokurori, shërbimet sekrete e diplomaci.
Bujar Nishani po i drejtohet fundit të mandatit, me një projekt që duket përditë e më pak “fantastiko-shkencor”: të jetë një kandidaturë serioze, në momentin kur kryetari i opozitës së sotme Lulzim Basha do të ndodhet përballë një humbjeje eventuale në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Kjo skemë, e cila qarkullon prej muajsh nëpër ambjentin politik e mediatik, ngjan gjithnjë e më pak e pamundur, kur sheh sesa me dëshirë dhe forcë e mbron siglën e tij të dikurshme kreu i shtetit shqiptar.
A nuk doli pas perdes ky njeri, edhe atëhere kur të tjerët bënin gjithfarë listash me kandidatura presdenciale, në verën e vitit 2012?! (Javanews.al)
Diskutime rreth kësaj post