Në një intervistë me gazetaren Jeta Xharra, kryeministri Edi Rama shprehet se në procesin e pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve, liderët nga Tirana dhe Prishtina duhet të sillen si “patriotë dhe jo si politikanë”.
Sot u pa që debati, pjesa më interesante e debatit kur ju dhe Vuçiçi u nxehët dhe patët një shembim të mirë dhe interesant të ideve, ishte pjesa për Kosovën. A mendoni që dialogu Kosovë-Serbi ka dështuar kur ka ardhur puna që duhet të diskutoni për çdo çështje, për shkak se implementimi i marrëveshjeve të cilat i kanë nënshkruar liderët tanë nuk po ndodh. A ka ardhur puna që ju duhet t’i çoni përpara çështjet e Kosovës?
Unë nuk mendoj që kjo është me “ose” – “ose”, por që është me “edhe” – “edhe”. Domethënë që edhe patjetër që Kosova ka rolin e vet dhe e ka parësor në këtë proces, edhe Shqipëria duhet të bëjë rolin e vet dhe që është një rol jo pak i rëndësishëm, mbështetës për dialogun dhe nxitës për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve që janë interesi ynë i çdo pale. Ka një keqkuptim shumë të madh kur thuhet se përmirësimi i marrëdhënieve, paqja, zgjidhja e problemeve të të kaluarës etj etj, janë diçka që ne na e kërkon Europa, na e kërkon Amerika, na e imponon Uashingtoni apo na e kushtëzon Brukseli. Kjo nuk është e vërtetë. Sigurisht që dhe Amerika e Europa kanë interes që të nxisin më tej një proces paqeje dhe një proces pajtimi, por në radhë të parë ky është interesi i fëmijëve tanë, në Shqipëri, në Kosovë dhe i fëmijëve në vendin që jetojmë dhe i të gjithë fëmijëve të rajonit.
Përkundër preformancës të mirë që patët ju sot dhe pritjes që po ju bëjnë juve personalisht, ajo që po ndodh në praktikë me shqiptarët është që përderisa Kosova e ka nënshkruar këtë dialog, e ka nënshkruar në amnistinë që ia fal serbëve një krim të caktuar që ka qenë kundër shtetit. Krime që janë bërë kundër Kosovës, në anën tjetër Serbia po i arreston policët si Nehat Thaçi, bazuar në krime të 1999-ës. Si barazohet kjo punë, në një anë normalizim të marrëdhënieve dhe fotografim para europianëve, në anën tjetër arrestim të shqiptarëve në rajon?
Ky është një proces që sikur të ecte përpara pa probleme dhe sikur gjatë rrugës mos të rishfaqeshin herë pas here hijet e të kaluarës, nuk do të ishte një proces paqeje. Do të ishte thjeshtë dhe vetëm një proces teatral. Por ky është proces paqeje i vërtetë dhe si i tillë është i vështirë, është i ngatërruar dhe në momente të caktuara duket i pamundur. Dhe ndeshemi me të tilla gjëra që janë absolutisht të papranueshme në kornizën e dialogut dhe të principeve; por përsëri pyetja ime është “Kush është zgjidhja?” Zgjidhja është të shkojmë mbrapa apo zgjidhja është të shtyjmë përpara?
A do bëhet ndonjë zgjidhje për Nehat Thaçin?
Zgjidhja është që të gjejmë arsye për ta stopuar procesin dhe për të filluar nga ushqimi i hijeve të të kaluarës dhe nga përkëdhelja e miteve që na kanë mbajtur peng kaq shumë kohë, apo zgjidhja është që të gjejmë kokëfortësisht rrugëdalje?
A gjetët rrugëdalje për këtë situatë?
Unë nuk kam fuqi të tilla se po t’i kisha, nuk do të isha kryeministri i Shqipërisë, do të isha magjistar dhe nuk jam. Por ajo që unë thashë sot është që ja paraqitet një rast i tillë dhe këtu pyetja është “çfarë bëjmë ne”? Ne themi “ja e nxorrën dhe një herë fytyrën e vërtetë armiqtë tanë, me këta ne nuk duhet të dialogojmë, nuk duhet të flasim apo ne e kthejmë këtë në një arsye për të shtruar një problem se si duhet të pastrohen një herë e mirë këto lista dhe se si duhet të ndahemi një herë e mirë nga kjo praktikë që nga njëra anë qeveria thotë se këtu nuk kemi punë fare se është çështje e prokurorit dhe nga ana tjetër (në qoftë se kjo është e vërtetë dhe unë besoj që po) rri lista atje dhe listën atje duhet vullnet politik për ta lëvizur. Vullnet politik që duhet të gjendet këtu në Beograd patjetër, por që ne duhet të shtyjmë. Pra, ajo që unë mendoj dhe që i thashë kolegut është që secila nga palët dhe në këtë rast pala serbe, nuk duhet të kapet pas gjetjes së arsyeve për të mos bërë detyrat e veta. Pala serbe duhet të bëjë detyrat e veta dhe pala shqiptare duhet të bëjë detyrat e veta. Dhe nëse do të funksionojë kështu, atëherë shumë gjëra do të bëhen më shpejt. Për shembull, kemi rastin e interkonjuksionit që është i bllokuar për arsye të një çështej që lidhet me dialogun etj.
Interkonjuksioni energjetik?
Po, Shqipëri-Kosovë.
Për shkak të Serbisë është i bllokuar?
Po është i bllokuar sepse nuk është zgjidhur akoma në kuadër të dialogut tema e telekomunikacioneve e energjisë etj.
Po ju a e keni arritur marrëveshjen me Kosovën për interkonjuksionin?
E kemi arritur, por nuk e fusim dot në punë nëse Serbia nuk jep “ok” në kuadrin e dialogut dhe të marrëveshjeve. Në fakt, në këtë moment normalisht duket meqë kjo është Trepçja atëherë Serbia këtu nuk duhet as ta mendojë këtë gjë, por ndërkohë ajo që unë i thashë është që “jo, e kundërta është e vërtetë, që ju duhet të bëni tuajën dhe nuk mundet dot që të kapeni pas një gjëje dhe pastaj të bllokoni gjënë tjetër. Dhe kështu duhet të ndodhi mendoj unë, një proces ku interesi i njerëzve të thjeshtë i atyre që ne shpeshherë i përfaqësojmë pa e menduar mirë se në fakt a po i ndihmojmë apo jo, është gjëja më e rëndësishme në këtë mes.
Atëherë nëse prej pesë vitesh nuk po realizohet marrëveshja për telekom, çfarë do të bëni ju si kryeministër i Shqipërisë nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen e energjisë. Po nëse për pesë vjet nuk nënshkruhet, mund të ndodhi hipotetikisht njëlloj si me Telekom, çfarë masash do të ndërmerrni?
E para e punës, kjo nuk është një pyetje që më takon mua. Është një pyetje që i takon lidershipit në Kosovë. Por ajo që unë mund të them është që nëse për çdo gjë ne pozicionohemi që ky është rasti për ta bllokuar procesin, vetëm i biem këmbëve tona. Ndaj, ku ka një vullnet të mirë ka një zgjidhje gjithmonë. Dhe ne duhet të kemi vullnet të mirë për t’i dhënë zgjidhje gjërave, jo për t’i mbajtur ato të bllokuara. Sigurisht që kjo vlen për të dyja palët. Sigurisht që nëse do të shihnim zbatimin Serbia ka kusure të mëdha në zbatim të marrëveshjes. Sigurisht që shumëçka mjafton për të thënë “mjaft, boll, u lodhëm”, por kush është zgjidhja tjetër? Nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk ka rrugë tjetër. Të gjitha rrugët e tjera janë vetëm qerthuj viciozë në përpjekje të brendshme për pushtet. Nuk janë rrugë që na çojnë drejt të ardhmes.
Më bëri përshtypje që sot në debat krahasuat pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve si një paralele mes asaj që ka bërë Gjermania dhe Franca pas luftës së dytë botërore. Disa do të thoshin që nëse e çojmë këtë paralele deri në fund, duke e ditur që Franca e ka pranuar Gjermaninë e Bashkuar menjëherë pas luftës, a mendoni që Serbia do ta njihte një Shqipëri të bashkuar?
Si Gjermani të Bashkuar? Këto janë procese që kërkojnë jo vetëm kohën e tyre, por nga njerëzit varet sa zgjat koha. Nëse ne do të hyjmë çdo javë nëpër cepa duke kërkuar merimanga, minj dhe hije të të kaluarës, do të vonojmë vetveten pafundësisht. Ne jemi ata që kanë avantazhin moral në gjithë këtë histori. Këtë duhet ta kuptojmë. Serbët kanë humbur luftën, shqiptarët kanë fituar luftën. Ne duhet të sillemi në këtë proces si fitimtarë, jo si humbës. Duhet të sillemi në këtë proces si vizionarë, jo si administratorë të së përditshmes. Duhet të sillemi në këtë proces si patriotë dhe jo vetëm si politikanë. Të jesh patriot në këtë proces do të thotë që të vësh interesin e fëmijëve tanë mbi interesin e pushtetit të vogël të ditës.
Në takimet bashkë me Thaçin dhe Mustafën, a koordinoheni edhe për strategji të fqinjësisë apo janë takime që nuk bisedoni për këtë? A i koordinoni projektet rajonale?
Patjetër që bisedojmë dhe patjetër që mirëkuptohemi dhe unë kam mirëkuptimin më të madh për atë që lidershipi i Kosovës, atë që Hashim Thaçi si kryeministër dhe më pas Isa Mustafa kanë bërë dhe mendoj që të gjitha përpjekjet që i bien ndesh dialogut nuk janë përpjekje në drejtimin e duhur. Mund të bëhen vërejtje sa të duan, jo ne, por nga brenda Kosovës, por një gjë duhet ta kemi të qartë se kush i bie ndesh dialogut, i bie ndesh të ardhmes së Kosovës.
E kam fjalën më shumë për koordinimin e projekteve rajonale ekonomike. Nëse ju i koordinoni këto bashkë me Kosovën, cilat janë prioritetet ekonomike-rajonale të projekteve të përbashkëta?
E kuptova pyetjen. Është hapur një fjalë, një marrëzi sikur Serbia ka marrë projekte, por ne nuk kemi marrë projekte. Kjo është një idiotësi. Ne kemi marrë miratimin për Korridorin e Kaltër, që është gjithë lidhja e unazës mesdhetare duke lidhur jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, e që e fut të gjithë bregdetin tonë në këtë unazë dhe ky është prioriteti numër një. Projekt ku ka përfituar edhe Shqipëria. Po ashtu, edhe për interkonjeksionin në Maqedoni kemi marrë miratimin dhe financimin. Po ashtu, për hekurudhën Tiranë-Durrës na është dhënë një mbështetje. Gjithashtu kemi mbështetur edhe idenë e rrugës Nish-Prishtinë-Durrës, pasi është një rrugë me shumë rëndësi ekonomike dhe patjetër dhe për rritjen e ndërveprimit. Unë nuk e di se ku dalin këto përralla që kthehen pastaj në mite nëpër mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Herën e kaluar që ishit në luginën e Preshevës, kërkuat që atje të ketë më shumë investim në shëndetësi dhe në arsim; më shumë shkolla dhe ambulanca. Çfarë është bërë që atëherë që keni qenë këtu lidhur me këtë kërkesë?
Unë takova përfaqësuesit e Luginës dhe i pashë më optimistë se sa dy vjet më parë. Çfarë është bërë? Mund të jetë bërë shumë pak në krahasim me çfarë duhet të bëhet. Por e rëndësishme është që është hapur një proces. Prandaj them që është shumë e rëndësishme që të mbahen parasysh të gjitha gjërat. Është kollaj të thuash që Edi Rama nuk duhet të shkojë në Beograd, ndërkohë që shqiptarët e Preshevës thonë që është gjëja më e mirë që Edi Rama vjen në Beograd. Është kollaj të thuash që ne nuk i flasim më këtë sepse doli ai problemi, por ndërkohë fatet e disa të tjerëve që janë po “ne” janë të lidhura me këta. Pra, është shumë më e ndërlidhur e gjitha.
A ka pasur rezultat në më shumë investime në shkolla dhe shëndetësi që e keni kërkuar herën e fundit që keni qenë në Preshevë? A ka pasur ndonjë progres?
Edhe një herë. Unë nuk diskutoj këtu, lidhur me sa më shumë apo sa më pak detaje, të cilat kanë rëndësinë e tyre, por po them në atmosferën e përgjithshme dhe unë nuk kam pritur që këtu situata të kthehet përmbys, sepse që të ndodhi kjo duhet të përmbyset situata në planin më të gjerë. Mbi të gjitha duhet të çojmë përpara me shumë vullnet, me shumë durim, me shumë zgjuarsi, procesin e dialogut.
Diskutime rreth kësaj post