Edi Rama ishte mbrëmë në studion e Eni Vasilit në News24 në studio debat.
Ja pjesa për Ben Blushin:
Do doja të flisnim për një ish-mikun tuaj, Ben Blushin, i cili javën e kaluar deklaroi tërheqjen e tij nga PS. Ju e gjetët në atë parti në fakt. Ai ju ndihmoi që ju të hynit në atë parti. Si ndiheni për largimin e tij?
Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti, Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin.
Intervista:
Faleminderit që keni ardhur menjëherë pas një vizite shumë të polemizuar në fakt zoti Rama edhe në një kontekst të rëndësishëm për kryeministrin e vendit…
E keni fjalën për vizitën në Beograd?
Sigurisht!
Një polemikë artificiale brenda një oborri shumë të ngushtë njerëzish ndërkohë që besoj që për popullin shqiptar këndej dhe andej kufirit nuk ka pasur arsye për asnjë polemikë.
Këtë radhë duke se mesazhet ishin të njëjta por pati një atmosfera krejtësisht tjetër në lidhje me deklaratat tuaja. Ju e prisnit? Çfarë ndodhi realisht sipas jush?
Krejtësisht atmosferë tjetër në Beograd apo në trojet tona?
Në trojet tona, andej dhe këndej Drinit.
Unë mendoj që në trojet tona të paktën duke u nisur nga reagimet e pafundme të njerëzve në rrjetet sociale impakti ka qenë shumë pozitiv dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Për sa i përket Beogradit mendoj që është hedhur një hap i mirë parapara duke rivendosur në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës dhe nga ana tjetër duke ndeshur një reagim ndryshe që nuk do të thotë se në anën serbe ka përparuar ideja e njohjes së pavarësisë por do të thotë që është mirë që ne të imponojmë këtë normalitet që do të thotë një e vërtetë e jona e pakontestueshme të thuhet qartë dhe përherë edhe në mes të Beogradit. Duke i mësuar dhe ata, veshët e tyre me këtë të vërtetë që nuk janë mësuar ta dëgjojnë atje brenda dhe për më tepër të thënë publikisht.
Përse e thënë nga ju dhe jo nga vetë kosovarët? Kjo është akuza që iu bëhet. P.sh. në takimin e Nishit a ishte e ftuar pala kosovare?
Unë nuk shoh asnjë lidhje në këtë dualizim sepse pala shqiptare e Kosovës flet në emër të Kosovës. Unë nuk flas në emër të Kosovës por për Kosovën dhe këtë as nuk ma ndalon dot njeri dhe as është e nevojshme t’i marr dorën kujt nëse duhet të flas apo jo për Kosovën.
A i kërkuat ju palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit?
Nuk është një çështje që më takon mua apo Shqipërisë. I takon Kosovës, lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet e gjithë procesit të dialogut dhe të përcaktojë nëse në një moment apo në një moment tjetër duhet të jetë apo jo prezente. Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i i pavarur ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë. Unë nuk flas në emrin e Kosovës unë flas për Kosovën.
Dhe kur flisni për Kosovën, a flisni dhe për gjëra utilitare, siç janë disa elementë të rëndësishëm për vetë kosovarët që ata vetë i kanë renditur siç janë: mospengimi i kalimit nga Kosova në Serbi nëpërmjet Merdares p.sh. i të gjithë shtetasve të tjerë përveç kosovarëve vetë, duke qenë se e trajtojnë kështu një çështje të brendshme ende Kosovën, serbët; pjesëmarrja në CEFTA, prefiksi telefonik i Kosovës, linja e interkonjeksionit, i keni bërë këto biseda me Vuçiç, a po ndihmoni për këto? A po thjesht kërkoni një njohje?
Patjetër, sigurisht që unë i bëj të gjitha bisedat që janë në interes jo thjesht të Kosovës por janë në interes edhe të Shqipërisë por janë në interes edhe të Serbisë sepse për mua duhet bërë çmos që të insistojmë në principin që çdo gjë e mirë që ndodh në njërin nga vendet është një e mirë që ndodh për çdo vend. Edhe vetë momenti i bllokimit të linjës së interkonjeksionit që në fakt është pasojë e një fakti tjetër që përpara se të çelet linja,Kosova duhet të anëtarësohet në agjencinë evropiane të shpërndarjes së energjisë. Është trajtuar nga unë si një nevojë reciproke e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe si nevojë në një proces të fuqizimit të lidhjeve të bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Ata që ju akuzojnë zoti Rama, pak a shumë kanë këtë argument që në fakt ka një logjikë të vetën se mënyra se si sillet zoti Rama në Beograd me ato që çfarë deklaron për Kosovën i shkon për shtat tezave serbe, të cilat duan ta cilësojnë Kosovën një çështje të tyre të brendshme dhe në fakt marrëdhëniet me shqiptarët, ta kenë me Tiranën zyrtare, me Edi Ramën. Ju pse heshtët kur u deklarua për Nish-Durrës pa përmendur Prishtinën?
Asnjëherë nuk kam parë në ndonjë dokument zyrtar që rruga që kryeministri serb e quan “Rruga e Paqes” të jetë Nish-Durrës, gjithmonë është folur Nish-Prishtinë-Durrës, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë. Këto janë muhabete njerëzish që i japin punë vetes duke bërë patriotin profesionist dhe këto nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen për të cilën duhet të jemi të gjithë të interesuar.
Cila është përmbajtja zoti Rama?
Përmbajtja është që ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është në funksion të lehtësimit apo të favorizimit, apo të çfarëdoni ta quajmë të Serbisë, një politikë hapje, dialogu bashkëpunim me Serbinë por është në funksion në radhë të parë të interesit tonë, të interesit të qytetarëve tanë në Shqipëri dhe në Kosovë. Sepse ne nuk e rrisim dot aq sa për të bërë një kapërcim të madh ciklik ekonominë tonë as në Shqipëri as në Ksoovë në rast se nuk e shikojmë rajonin si një treg të përbashkët. Ne mund të rritemi me 3.5 % këtë vit. Është shumë në krahasim me zero presje diçka me ku e gjetëm ekonominë. Mund të rritemi dhe me 4% por na duhet patjetër të shkojmë përtej 5% për të pasur një ekonomi e cila e impakton drejtpërdrejt në mënyrë të ndjeshme familjen dhe buxhetin e familjes.
Një treg por secili me identitetin e vet, kështu të paktën deklaron pala kosovare. Çfarë i konsideroni deklaratat e ministrit të jashtëm.
Nuk më rezulton që në tregun e përbashkët gjermanët, francezët apo të tjerët të kenë humbur identitetin e tyre, përkundrazi.
Por Kosova do ta negociojë vetë pjesën e vetë në këtë treg. Kjo është ajo dhe të mos bëjë Rama lidershipin e rajonit.
Nuk bëj unë dhe nuk bën qeveria shqiptare asnjë negociim në emër të Kosovës e përsëris prapë. Unë përfaqësoj qeverinë shqiptare dhe vullnetin tonë të palëkundur për të çelur një kapitull të ri në rajon duke i hapur rrugë një transformimi politik në funksion të një transformimi ekonomik dhe social. Është interesi i fëmijëve tanë, në Shqipëri në Kosovë dhe fëmijëve në Serbi. Nuk mund të vazhdojnë të ushqehen popujt tanë me plagët e së shkuarës. Ne duhet jo vetëm të projektojmë të ardhmen por të bëjmë çmos që e ardhmja të jetë nesër jo pas 100 vjetësh.
A kemi sot ne një problem me qeverinë e Kosovës? Duke iu kthyer sërish deklaratave të ministrit të jashtëm. A janë ato deklarata zyrtare, sepse nuk besoj se është përgjigjur në titull personal…
Ne nuk kemi asnjë problem me qeverinë e Kosovës. Ne nuk kemi problem me lidershipin e Kosovës dhe unë as nuk i marr fare shënim deklarata momentale që janë shprehje emocionale dhe me thënë të drejtën mungesë thellimi në përmbajtjen e një momenti të caktuar.
A keni pasur konsultime me kryeministrin e Kosovës përpara Forumit të Nishit ose pas këtyre polemikave?
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, s’kemi asnjë problem të kësaj natyre dhe unë s’kam asnjë arsye të them që kryeministri apo presidenti i Kosovës janë në ndonjë korsi që divergon sadopak nga korsia jonë. Jemi plotësisht të njehsuar. Sigurisht secili në detyrën e vet. Unë nuk kam marrë përsipër dhe nuk do marr kurrë përsipër të bëj detyrën e udhëheqësve të Kosovës. Unë kam marrë përsipër të bëj detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.
Keni marrë përgjigje për çështjet që sipërpërmendëm, linjën e interkonjeksionit, kalimin në Merdarë…
Mos harrojmë një gjë që unë e kam diskutuar linjën e interkonjeksionit me kryeministrin serb në Paris, e kam diskutuar në Beograd. Por në të njëjtën kohë në Sarajevë ministri ynë i Energjisë e ka ngritur problemin në tryezën e komitetit të energjisë dhe ka një deklaratë zyrtare që i kërkon Serbisë që të zgjidhë problemin deri në 31 dhjetor. Pra, ne i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion…
Por çështjet janë ende pezull, apo jo? Ato që përmenda të paktën…
Sepse është një proces i vërtetë paqeje dhe nuk është një proces i lehtë, sepse po të ishte i lehtë nuk do ishte një proces paqeje. Ju e mbani mend shumë mirë që dy vjet më parë për një balonë që kaloi në stadium u duk sikur këtu do plaste lufta e tretë ballkanike. Ka rrugës momente që janë sensitive për të dyja palët. Por një gjë është e sigurt, që sa më shumë ne të flasim, sa më shumë shqiptarët të flasin me serbët, aq më shumë shanse ka që problemet të zgjidhen. Nëse rrimë duke i bërë gola njëri-tjetrit, atëherë faktikisht nuk ka fitimtarë në funksion të projektit të transformimit të rajonit në një treg të përbashkët.
A jeni ju i gatshëm, përveçse për të folur për Kosovën siç thatë deri tani dhe jo në emër të saj, edhe ta ndërmjetësoni Kosovën që ajo të jetë pjesë e tavolinave ku ju jeni?
Nuk ka nevojë Kosova për mua si ndërmjetës, sepse procesi i dialogut ka në krah, apo në të dyja anët Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Unë nuk marr përsipër t’i jap askujt këshilla të pakërkuara. Kemi pasur patjetër momente me udhëheqësit në Kosovë ku kemi diskutuar, jem i konsultuar por në terma jashtëzakonisht miqësorë, informalë si midis vëllezërish për një çështje që na intereson të gjithëve.
Pse Ivo Andriç për citatologji?
Pse jo?
Pse jo Qosja, Kadare, Rugova?
Tani kjo është…
Sepse është antishqiptar…
Këto janë dokrra hini si puna e Goran Bregoviçit që pse Goran Bregoviçi duhet të merrte çelësin e qytetit.
Nuk është e njëjta gjë, se në fund të fundit Bregoviç ishte një këngëtar, ky ka qenë ambasador, një shkrimtar…
Është një muzikant i madh dhe përsëri në funksion të faktit që ne shqiptarët kur miku vjen në shtëpi nuk e pyesim për biografinë. Kështu thotë të paktën Kushtetuta jonë e parë, Kanuni. Kështu që këta patriotët e mëdhenj që rrinë qëmtojnë si ata censorët e kohës së Enverit dhe të Titos mbi detaje që nuk kanë pikë rëndësi bëjnë mirë të marrin e të lexojnë kanunin.
Ç’lidhje ka kanuni me Ivo Andriç që njihet për tezat e tij antishqiptare…
Fola për pjesën e parë. për sa i përket referimit tek Andriçi, unë iu referova një shkrimtari të madh serb dhe nuk citova ndonjë frazë antishqiptare por një frazë shumë aktuale për procesin ku ne jemi ku ai thotë “Ka një hapësirë të errët midis frikës dhe shpresës dhe shumë njerëz e kalojnë jetën në këtë errësirë. Duke shkuar drejt shpresës ne mund të dalim nga errësirat”.
Do ta rizgjidhnit edhe pas sensibiliteteve që krijoi?
Nuk jam nga ata që pendohem për gjërat që i bëj me zemër. S’kam asnjë arsee të gjykoj se pse njeri mendon kështu, pse njeri mendon ashtu. Shyqyr që ka njerëz që mendojnë krejt ndryshe nga unë sepse po të ishim të gjithë dakord do ishim në një sistem tjetër që nuk është sistemi që kam dashur ndonjëherë, por ama unë jam unë, ata janë ata.
Mund të kishte edhe shkrimtarë tjetër po aq të famshëm, jo antishqiptarë, që kanë prodhuar aq shumë teza për asimilimin e shqiptarëve, pushtimin e Shkodrës…
Nëse do bëja një referat për letërsinë…
Ju jeni kryeministri i Shqipërisë.
Nëse do bëja referat për letërsinë atëherë po. Por kjo lloj kapje pas hijeve të së shkuarës për të nxjerrë përfitime sot është një profesion në Shqipëri dhe Kosovë.
Si quhet?
Është profesioni i patriotit. Këta janë patriotë profesionistë që nxjerrin bukën duke u marrë me këto dokrra. Këto mua nuk më interesojnë.
Le të qëndrojmë sërish tek historia, tek një histori tjetër problematike siç është Greqia, them problematike port shkak të disa deklaratave që së fundmi ministri i jashtëm grek ka artikuluar, i cili kujton forcën greke, ushtrinë, flotën etj. Duket si një deklaratë lufte, i keni lexuar besoj këto deklarata, çfarë mendoni?
Mendoj që është një deklaratë për konsum të brendshëm, në opinionin publik grek dhe mua më ndjell një buzagaz të lehtë miqësor.
Asgjë më shumë? Është ministri i Jashtëm… Kemi një problem ne me qeverinë greke lidhur me çështjen çame?
Jemi dy vende anëtare të NATO-s, dhe siç e dimë ne e dinë dhe fqinjët tanë grekë, kështu që këto lloj deklaratash janë konsum i brendshëm që nuk është i panjohur në politikën greke dhe s’ka asnjë problem për ne. Nuk i marrim dot seriozisht si kërcënime, sepse unë nuk i konsideroj kërcënime, i konsideroj një shprehje vetëndjehjeje nga ana e fqinjëve tanë atje brenda. Por ne s’kanë çfarë force na tregojnë fare.
A ka sot tension mes Tiranës dhe Athinës për çështjen çame dhe a është futja në koalicion e Shpëtim Idrizit një element që e ka akseleruar disi këtë lloj tensioni?
Ne jemi në Shqipëri dhe jemi këtu në lirinë dhe të drejtën tonë për tu futur e për të dalë në skenën politike si të duan. Kemi të drejtën tonë për të ndërtuar koalicionet që duam dhe nuk e imagjinoj dot që ne të kemi vërejtje se me kë bën koalicion në Greqi një X me një Y. Prandaj e kam thënë dhe e përsëris se çfarë bëjmë ne këtu me politikën tonë dhe me njëri-tjetrin nuk është një çështje ku presim këshilla apo presim vërejtje nga fqinjët tanë.
Kërkesa keni pasur për mospërfshirjen e PDIU-së në koalicionin qeverisës?
Ka pasur një deklaratë që Ministria e Jashtme greke të kishte një opinion se kush u zgjodh nënkryetari i parlamentit në Shqipëri. A e imagjinoni dot ju që Ministria jonë e Jashtme të ketë një opinion dhe ta bëjë publik, duke shprehur rezervë për nënkryetarin e parlamentit grek, që unë as nuk e njoh dhe as kam fare kuriozitet ta di se kush është. Eshtë e njëjta gjë. Ne kemi ndërtuar një marrëdhënie simetrike me Greqinë dhe me të gjithë. Ne nuk jemi as superfuqi, as nuk mendojmë që jemi të veçantë dhe të tjerët duhet të na dëgjojnë dhe të na rrinë gatitu. Nuk i imponohemi askujt. Ne thjesht kemi një princip, brenda 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë vendosim ne. Dhe interesat tona nuk negociohen, as në Athinë, as në Beograd dhe asgjëkundi tjetër. Interesat tona negociohen këtu midis nesh.
Asnjë qeveri nuk ka pranuar një ministër çam, në kabinet. Ka qenë kërkesa e Athinës kjo apo jo?
Duhet të pyesni kryeministrat më parë nëse kjo ka qenë kërkesa e Athinës. Por unë di të them kaq, që kërkesa të tilla nëse ka pasur në të shkuarën, nuk mund të ketë në qeverinë time.
A ka një lloj tensioni brenda koalicionit tuaj me zotin Meta dhe zotin Idrizi. Një gazetar i njohur, zoti Baze në një editorial të tij tha diçka të tillë, që në fakt ka një luftë midis Metës dhe Ramës dhe jo midis Greqisë dhe Serbisë. Duke patur parasysh miqësinë që ju i shprehni Serbisë dhe një lloj tensioni me Greqinë. Ka një luftë midis Metës dhe Ramës?
Unë kam kuptuar një gjë që lufta midis meje dhe Ilir Metës, që kurse ne jemi bashkuar në një koalicion është një nga burimet që frymëzojnë gazetarinë tonë dhe vazhdimisht prodhon skenarë, prodhon tablo sinoptike, prodhon analiza. Por luiftë midis meje dhe Ilir Metës nuk ka. Ne jemi në një koalicion jo në një parti. Nëse më tregoni një koalicion, jo këtu por në të gjithë Europën që nuk ka fërkime, kontradikta, atëherë unë do tju them, po paska dhe një të tillë. Unë ju them që në funksion të reformave koalicioni ynë është më kompakt se çdo koalicion tjetër që ka në Europë. Kur bëhen përpjekje për të bërë reforma në vende të tjera të Europës, koalicionet shkojnë deri në përplasje të natyrës që një parti del me ministrat në protestë, partia tjetër rri me ministrat në zyrë. Ne nuk kemi gjëra të tilla. E mbaruat me çështjen çame?
Nëse keni mbaruar ju…
Unë doja vetëm të theksoja këtë, që çështja çame thuhet çështje çame për tu kuptuar, por është çështje shqiptare, është çështje e Shqipërisë dhe ndoshta përsëritja thjesht si çështje çame për tu kuptuar lë shpesh herë dhe shteg për të bërë dhe abuzime, spekulime të natyrës jo ata bashkëpunuan me nazistët jo andej , jo këtej. Jo, s’ka lidhje farë. Kjo është një çështje e Shqipërisë, është në dosjen e diskutimeve që do bënim me Greqinë, meqë ra fjala ne me Greqinë nuk kemi ndonjë tension luftarak, ne me Greqinë kemi që nga dita e parë disa kërkesa të thjeshta, për tju dhënë marrëdhënieve një hov të ri. Askush nuk mund ta mohojë, as ata nuk e mohojnë që marrëdhëniet kanë pësuar një ngërç me paktin famëkeq të detit, të cilin ne e kundërshtuam dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi. Po ashtu ne kemi një tjetër çështje që ne duam të zgjidhet. Dhe duam të zgjidhet jo sepse duam tensione, por pikërisht sepse duam paqe harmoni, vëllazëri me fqinjët tanë të dashur, që është ligji i luftës. Unë i mirëkuptoj grekët kur thonë ç’është kjo, kjo është një gjë kot. Meqë është një gjë kot, ta fshijmë këtë gjë kot, mos ta lemë aty. Dhe aq kot nuk është. Ne kemi gatishmërinë që këtë gjë ta zgjidhim me dialog. jemi në dialog të vazhdueshëm dhe unë personalisht mund t’ju them që me qeverinë e kryeministrit Cipras e kemi intensifikuar këtë dialog.
Shqetësimi im është gjë tjetër. Ju folët për një mbarëvajtje kaq të madhe..
Se u ndjeke shumë e kërcënuar, mos u shqetëso!
…mbarëvajtja e koalicionit, ju po thoni që e keni në tryezën e bisedimeve çështjen çame, ndërkohë që gjatë vizitës së tij Zoti Meta thuajse nuk e artikuloi. Ka këtu ndonjë problem?
Gaboni gjithmonë kur kërkoni që unë dhe Ilir Meta të flasim njësoj. Nuk jemi njësoj, nuk flasim njësoj. Jemi në koalicion, nuk jemi as në një parti, as në një tipologji si njerëz. Jemi dy parti të ndryshme dhe jemi dy tipa komplet të ndryshëm.
Ju po thoni që janë dy qëndrime krejtësisht të ndryshme për çështjen çame?
Jo unë nuk thashë këtë. Mos kërkoni që kur dëgjoni Ilir Metën t’ju kujtohet Edi Rama apo kur më dëgjoni mua t’ju kujtohet Ilir Meta se kjo nuk ndodh.
A po mendoni ta zëvendësoni LSI-në me PDIU-në si aleate qoftë edhe për një koalicion parazgjedhor?
Ta zëvendësoj?
Po, ta zëvendësoni, ta ndryshoni.
LSI-ja është në vendin e vet dhe PDIU-ja është në vendin e vet. Ne sigurisht jemi në vendin tonë. Nuk e kuptoj pse ta zëvendësojmë.
Dibra tregoi që patët një bashkëpunim shumë më të madh me PDIU-në se me LSI-në…
Konteksti në Dibër ishte i tillë që pati një angazhim më të madh nga ana e PDIU-së por nuk mund të thuhet që s’pati interesim nga LSI-ja pasi ju kujtoj që të dyja rastet që unë kam qenë në Dibër kam qenë i shoqëruar me figura të larta të lidershipit të LSI-së.
Por dhe diferencën sapo e thatë vetë: impenjim të madh të PDIU-së dhe një lloj interesimi nga LSI-ja.
Pati një angazhim atje më të madh për shkak dhe të një strukture shumë vibrante që ka PDIU-ja në atë zonë.
Ju keni thënë se shumë shpejt do të shpallni vendimin për koalicionin me LSI-në për zgjedhjet e 2017-ës. Kur do ta bëni këtë?
Kjo është një çështje që formalisht dhe normalisht duhet pritur edhe për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së sepse ju e dini që LSI-ja është në një fushatë intensive për zgjedhjen e kryetarit. Mbase të zgjidhet kryetari i LSI ne do ulemi dhe do diskutojmë.
Ndërkohë që unë duke besuar që nuk do kemi surpriza në ato zgjedhje mendoj që kjo do të jetë një formalitet pasi në diskutimet tona me kryetarin aktual të LSI-së, herët e fundit jo vetëm që nuk është vënë në pikëpyetje koalicioni në 2017-ën por është folur për domosdoshmërinë e një funksionimi edhe më të mirë të tij.
Pra ju nuk e diskutoni këtë gjë. LSI-ja do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor të 2017-ës?
Nuk e diskutoj, sepse Ilir Meta nuk e ka vënë në diskutim këtë çështje. Por, sigurisht ata janë edhe në fushatë tani dhe kuptohet që fushata ka ato të vetat. Kur të mbarojë fushata, kur të zgjidhet kryetari ne do ulemi dhe do diskutojmë përsëri dhe unë besoj që nuk do ketë surpriza.
A do ta votoni Ilir Metën si president në maj të 2017-ës?
Kjo është një temë për të cilën ne do diskutojmë brenda koalicionit dhe kur të diskutojmë brenda koalicionit të jeni e sigurt që News24 do ta ketë lajmin më shpejt se të tjerët për shkak se është edhe më e shpejt në dhënien e lajmit me sa kam parë kohët e fundit.
Faleminderit shumë z. Kryeministër për komplimentet për televizionin, shtëpinë më të madhe të informacionit…
Nuk është kompliment, është puna juaj. Ju nuk bëni koncerte, ju lajme bëni. Po nuk ishit të parët dhe në lajme atëherë ç’kuptim ka?!
Do doja të flisnim për një ish-mikun tuaj, Ben Blushin, i cili javën e kaluar deklaroi tërheqjen e tij nga PS. Ju e gjetët në atë parti në fakt. Ai ju ndihmoi që ju të hynit në atë parti. Si ndiheni për largimin e tij?
Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti, Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin.
Si ndiheni kur njeriu thuajse i vetëm në atë kohë që iu kundërvu Nanos dhe mbështeti fuqimisht hyrjen tuaj në parti u detyrua të largohet për shkakun tuaj, duke iu bërë ju fajtorin kryesor?
Kjo është histori dhe për historinë unë preferoj të flas kur të kem mbaruar punë me aktualitetin dhe aktualiteti im është deri kur unë do të jem në krye të qeverisë.
A është e vërtetë që në 2009-ën ka pasur një marrëveshje xhentëllmenësh mes ju e Blushit të ngjashme si Toni Blair dhe Gordon Brown? Në një intervistë në këtë studio Blushi u përgjigj me një “no coment” por nuk e mohoi…
Unë them të kalojmë tek pika tjetër sepse është humbje kohe tani të merremi me Blushin.
Ai lajmëroi formimin e një partie të re. Mendoni që mund ta dëmtojë kjo gjë PS-në, mendoni që mund të marrë vota socliasitësh në 2017-ën nëse do të paraqitet në zgjedhje?
Unë mendoj që në këtë fazë mllefi atomik me PS-në, Blushi është mirë të bëjë një roman tjetër se sapo për partinë e Blushit s’do ketë as punë, as roman, këtë di unë.
Është e vërtetë që i keni kërkuar votën për një mocion që po përgatitej?
Unë t’i kërkoja votë anëtarëve të PS-së? Nuk kam kërkuar votë sepse nuk kam dyshuar për asnjë moment që anëtarët e grupit parlamentar përfshi edhe Ben Blushin nuk do ta përkrahnin një mocion të tillë nëse ky do të ndodhte.
Blushi tha që ka vënë kusht rikthimin e demokracisë dhe zgjedhjeve në parti?
Dakord, kjo është pjesa e romanit pastaj.
Ju e mohoni që ja keni kërkuar votën?
Absolutisht po!
Mohoni gjithashtu që i keni ofruar poste ministrore zonjës Hafizi?
Kujt?
Zonjës Mimoza Hafizit.
Për Ben Blushin edhe mund të shpenzonim pak kohë se i ka bërë nja tre romane. Por Mimozën le ta lëmë të hajë përsheshin në partinë e Blushit dhe të mos merremi me këtë temë, ju lutem.
Nuk është etike për një grua, një shprehje e tillë, qoftë edhe nga kryeministri…
Është një shprehje e njohur kjo dhe nuk ka lidhje fare dhe mos ma vini gjithmonë këtë përpara është etike për një grua, është etike për një burrë sepse unë nuk i ndaj njerëzit në burrë e në gra. Unë i konsideroj të gjithë të barabartë kur është fjala për të diskutuar për politikën dhe mes njerëzish që janë të përfshirë në politikë. Disa duke bërë punë, disa duke ngrënë përshesh por kjo është një çështje që nuk i ndan njerëzit në burra dhe në gra. Përsheshi është përshesh edhe kur e hanë burrat edhe kur e hanë gratë.
A ka vend konspiracioni, në fakt edhe shumë qytetarë na kanë shkruar në facebook se Ben Blushi është lojë e PS-së për të mbledhur votat e të pakënaqurve?
Tani vërtetë keni kaq shumë kohë në dispozicion ju për t’u marrë me këtë mikrotemë. Unë mendoj që ka tema të tjera të rëndësishme për të folur. Është mirë të flasim për Shqipërinë.
Ku e pozicioni veten?
Ne jemi e majta e shekulli të ri dhe jemi të palëkundur në vijën tonë, e cila në qeverisje po jep rezultate.
Diskutime rreth kësaj post