Nobelin e shumëpritur të Letërsisë këtë vit fitoi një personazh, emri i të cilit nuk është i njohur su shkrimtar, por si një legjendë e rokut. Bob Dylan ka qenë për më shumë se 5 dekada një influence e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën popullore, jo vetëm me notat muzikore, por edhe me penën e tij.
Çmimi i lakmuar i dorëzohet pikërisht me këtë argument: krijimin e frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane.
I lindur në 1941-shin si Robert Allen Zimmerman, karrierën e tij muzikore Dylan e nisi 1959, duke interpretuar nëpër kafenetë e Minnesota-s. Vitet ‘60 sjellin bumin e krijimtarisë së tij, një shkëlqim që erdhi bashkë me shndërrimin e këtij njeriu të madh në një historian informal të telasheve të Amerikës.
Këngë si “Blowin in the Wind” dhe “The Times They are A-Changin” u kthyen në himne të antiluftës dhe të lëvizjeve për të drejtat qytetare.
Emri i Bob Dylan-it ishte lakuar prej kohësh si fitues i mundshëm i Nobelit, por të paktë ishin ekspertët që mendonin se akademia suedeze do ta shtrinte gamën e çmimit prestigjioz edhe në zhanre si muzika folk rok.
Gjiganti i letrave shqipe, Ismail Kadare, edhe pse është konsideruar prej kohesh një favorit për këtë nderim të lartë, sërish nuk arrin ta shtjerë në dorë çmimin të cilit i është afruar disa herë.
Diskutime rreth kësaj post