Rreziku i fjetjes në kurriz për gra shtatëzëna
Sipas një studimi të ri nga hulumtuesit amerikanë të Universitetit të Miçiganit, fjetja me kurriz gjatë shtatzënisë e ekspozon fëmijën ndaj rrezikut të vdekjes.
Specifikisht, fjetja me kurriz do të rriste probabilitetin që foshnja të ketë një peshë të ulët kur të lindë, me faktor 5; kjo ngjarje është e lidhur me rrezikun e lartë të vdekshmërisë foshnjore.
Mjekja Luis O’Brin (Louise O’Brien), një profesore e asociuar në Qendrën për Çrregullimet e Gjumit në Universitetin e Miçiganit, dhe kolegët e saj kanë kryer studimin e tyre në një spital në Gana. Edhe pse në këtë vend ka një vdekshmëri të lartë foshnjore për shkak të faktorëve të ndryshëm, është gjetur një lidhje me pozicionin e grave shtatzëna gjatë gjumit.
Edhe një studim tjetër, i bërë në Zelandën e Re, ka konfirmuar gjetjen e këtij hulumtimi: të flesh me kurriz është e rrezikshme. Vdekshmëria foshnjore është një ngjarje traumatike që ndodh mesatarisht 2 deri në 5 për 1000 fëmijë në vendet perëndimore; në vendet e ulëta, si në ato të Afrikës, shkalla e incidencës është afërsisht 20-50 fëmijë për 1000 lindje.
“Nëse pozicioni i gjumit luan rol në vdekshmërinë foshnjore, inkurajimi i grave shtatzëna në të gjithë botën, për të mos fjetur me kurriz, është një qasje e thjeshtë, që mund të përmirësojë rezultatin e shtatzënisë”, tha O’Brin. Rezultatet e plota të studimit u botuan në Gazetën Ndërkombëtare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, dhe ato tregojnë se si informacioni i saktë shpesh mund të bëjë një ndryshim: fjetja anash, me shpinë, është diçka që të gjitha gratë shtatzëna mund ta vënë në praktikë, pa ndërhyrjen e operatorëve dhe të shpenzimeve nga ana e kujdesit shëndetësor. Pra gratë shtatzëna duhet t’i kushtojnë vëmendje pozicionit kur flenë, për të shmangur ndërlikimet në lindje.
Studiuesit thonë se duke fjetur në shpinë mund të rritet rreziku i problemeve gjatë lindjes dhe gjithashtu rreziku që fëmija të lindë i vdekur, ose rreziku i abortit brenda 24 javësh. Kërkuesit analizuan pozicionet e marra gjatë gjumit tek 295 gra shtatzëna për pesë vjet dhe arritën në këtë përfundim. Arsyeja është që, duke fjetur mbi kurriz reduktohet fluksi i gjakut në një venë kryesore që nga këmbët arrin zemrën. Reduktimi i fluksit të gjakut mund të shkaktojë probleme në mitër.
Sipas studimeve të bëra është arritur në konkluzionin që është më mirë që gjatë shtatzënisë të flini në krahun e majtë. Gjithashtu fjetja mbi kurriz e grave shtatzëna duke u nisur nga pesha e fetusit shkakton probleme edhe tek ju, duke shfaqur asfiksi. Kështu që mundohuni të flini më shumë në njërin krah dhe kryesisht në krahun e majtë dhe përpiquni të jeni sa më të qeta dhe të pushoni sa më shumë.
Rëndësia e gjumit gjatë shtatzënisë
Gjumi gjatë periudhës së shtatzënisë ka rëndësi të veçantë. Ai është i domosdoshëm për shkak të ndryshimeve fizike dhe hormonale që ndodhin në organizmin e gruas.
Rekomandimi i parë i këshillueshëm është një regjim i përgjithshëm e në veçanti për gjumin gjatë natës dhe çlodhjen gjatë ditës. Kjo do të thotë që të shkohet për të fjetur në orar të caktuar, dhe gjatë ditës pushimi të bëhet mundësisht sa më i shkurtër. Nëse ndihet lodhje apo konstatohet kërkesa e organizmit për gjumë, atëherë gruaja shtatzënë mund të pushojë apo edhe të flejë edhe gjatë ditës.
Në tre muajt e parë të shtatzënisë, duhet të kufizohet sa më shumë lodhja dhe të bëhet sa më shumë pushim. Mund të flihet kurdo, pavarësisht kohës apo vendit se ku ndodhet gruaja shtatzënë kur asaj i vjen gjumë apo ndihet e lodhur.
Është e këshillueshme fjetja në krahun e majtë, sepse është pozicioni më i mirë për qarkullimin e gjakut. Për t’i dhënë vetes komoditet gjatë gjumit, në mes të këmbëve është mirë të vendoset një jastëk i vogël. Gjithashtu, edhe nëse barku nuk ndihet në pozicion të përshtatshëm, poshtë tij është mirë të vendoset një jastëk tjetër.
Gjatë natës, për të kryer ndonjë nevojë personale sado të vogël, për të mos prishur tërësisht gjumin, dhoma e gjumit mund të pajiset me një ndriçues të vogël, i cili të qëndrojë hapur gjithë natën. Ndriçimi sado i vogël, ndihmon për të kryer ndonjë nevojë pa e prishur tërësisht gjumin. Në tremujorin e dytë dhe të tretë, rekomandohet përsëri të bëhet gjumë dhe pushim i mirë.
Diskutime rreth kësaj post