Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për Ora News në lidhje me dërgimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve të prokurorëve në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se ky ligj nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“Në përgjigje të pyetjes suaj, ambasada e SHBA ju sjell në vemendje deklaratën e datës 23 shtator të ambasadorit Lu”, thuhet në reagim.
Në reagimin e datës 23 shtator ambasadori Lu tha tekstualisht:
“Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e vetting në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi.
I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik.
Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e Ligjit të Vetting, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”.
Reagimi vjen ndërkohë që sot paradite, Partia Demokratike e çoi në Kushtetuese këtë ligj.
Po sot, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se nuk priste nga asnjë ambasadorë që t’i tregonte detyrat kushtetuese Partisë Demokratike.
“Nuk pres unë nga asnjë ambasador të më tregojë se cila është detyra kushtetuese e PD-së, opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam timen dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë” – tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post