Emisioni investigativ ‘STOP’ në TV Klan ka denoncuar mbrëmjen e djeshme rastin e një korrupsioni që ndodh në magazinat e Rezervave të Shtetit. Pamjet e kamerës së fshehtë, tregojnë bisedën mes gazetarit dhe magazinierit, i cili, kundrejt një pagese bie dakord për të nxjerrë nga magazina një motor tip Vespa. Pas publikimit të videos Policia e Tiranës në bashkëpunim me task forcën kanë arrestuar shtetasit Ervis Lako dhe Arben Topçiu, me detyrë magazinie dhe roje në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë.
Njoftimi i plotë:
Sot më datë 05.10.2016, nga Seksioni për Korrupsionin në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task Force në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në një emisionin investigativ “Stop”, u bë ndalimi i shtetasve:
Ervis Lako, 32 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë magazinier në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë.
Arben Topçiu, 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë roje në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se, shtetasi Ervis Lako, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si magazinier në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, i ka kërkuar dhe marrë shumën prej 10.000 lekë të reja një shtetasi, për ti shitur një motorr Vespa, që ndodhej i sekuestruar në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë. Për realizimin e kësaj vepre penale, ka bashkëpunuar edhe me rojen e kësaj drejtorie, shtetasin Arben Topçiu, i cili ka lejuar daljen e motorrit pa dokumentacionin përkatës dhe pa e regjistruar në regjistrin përkatës.
Materialet proçeduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga Nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.
Diskutime rreth kësaj post