Nga Andi Bushati
Braktisja spektakolare që Ben Blushi i bëri Rilindjes, duke shfrytëzuar për këtë një moment simbolik, si ai i lejes për të mbushur Shqipërinë me plehëra, ka shkaktuar një tronditje jo të vogël tek lakejtë e kreut të qeverisë.
Në skenë kanë dalë tre lloje zelltarësh që po kërkojnë ti gjejnë paterica moralit të rrënuar të Edi Ramës.
Të parët janë ata që kanë humbur punën në administratë, për shkak të paaftësisë apo korrupsionit dhe që po kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë kryqëzatë për tu ricikluar në vende pëllumbash.
Të dytët janë ata që e shohin liderin si një dashnor imagjinar, e që janë të gatshëm që përpos trupit t’i vënë në dispozicion edhe mendjen.
Të tretët dhe më të pamoralshmet, janë ato media, që prodhojnë fakte të trilluara, apo gjysëm të vërteta rënqethëse, për të vënë shenjën e barazimit, midis njeriut që i ftoi shqiptarët të shkruanin emrat e rilindasve në kazanët e plehrave dhe atyre që u zhytën vullnetarisht në ato kazanë.
Një rast si ky i fundit, e ka demaskuar plotësisht një investigim i gazetarëve të Lapsi.al (lexo shkrimin poshtë).
Ndryshe nga sa u pretendua nga mediat që Edi Rama ushqen me para publike, Ben Blushi, si ministër i Pushtetit Lokal të Fatos Nanos, jo vetëm që nuk kish firmosur për importin e plehrave nga Fraçesko Beketi drejt Tiranës, por pati kërkuar anullimin e marrëveshjes dhe rinegocimin e kushteve të saj.
Për shumëkënd, ai, edhe po të kishte firmosur, nuk do të kishte bërë asnjë krim më të madh se të gjithë ministrat shqiptarë në vazhdimësi, që nga ata të Nanos, Berishës dhe Ramës.
Por, presonalisht, kur e pashë të botuar atë nënshkrim, në pamundësi për të menduar se mashtrimi mediatik mund të ngrihej deri në ato nivele, nuk u ndjeva mirë. Si një nga ata që e njoh nga afër Blushin, që e kam parë si kryeredaktor të “Koha Jonë” të ndeshet me pushtetin e “duarve me gjak” të Berishës, apo si ministër, të kundërshtojë shefin e partisë dhe të qeverisë, për ti dhënë firmën e kandidimit Edi Ramës, kam ruajtur gjithnjë mendimin se ai është një nga ata të rrallët politikanë që përpiqet të sintetizojë me koherencë ato që mendon me aktet që ndërmer.
Me sa duket kështu ka ndodhur edhe këtë herë.
Por, këtu problemi nuk është tek Blushi. As tek integriteti i vet personal. Ai po paguan me një çmim të lartë raportet që ka pasur me partinë ku militon prej 20 vjetësh dhe me liderin e saj që nuk di të rikthejë të njëjtin standart që ka marrë në këmbim.
Këtu halli edhe një herë më shumë, është mes nesh, gjithë shqiptarëve, në raportet që kemi me pushtetin, me gjithfuqishmërinë e liderit dhe me lakejtë që hidhen për mbrojtjen e tij me çdo çmim.
Pak a shumë, ajo që po ndodh sot me Blushin është një përsëritje e shëmtuar e skenave më brutale që regjimi i Berishës ka prodhuar në sulmet kundër Pashkos, Cekës e të gjithë mocionistëve të tjerë (1993).
Është e njëjta fabul që u replikua në akuzat e ndyra ndaj Azem Hajdarit si themelues i PD-së apo Eduart Selamit si kryetar i radhës i saj.
Të gjithë këta, kritikë të udhëheqësit, janë fshikulluar në mënyrat më të poshtra, janë nëpërkëmbur me mjetet më brutale, janë bërë pre e një makinerie shpifjeje dhe denigrimi që mund ta vënë në punë vetëm regjimet diktatoriale.
Gjithnjë në këto 25 vjet, janë gjetur komsomolas të devotshëm, gra në kërkim të mashkullit superhero, media të përdala, që e kanë parë të keqen tek “armiku i partisë”.
Tani, pas aktit të tij të fundit, radha po i takon Ben Blushit.
Dhe sipas të gjitha gjasave, kryqëzata kundër tij e nisur me rugaçët e mitingut të Elbasanit do të vazhdojë.
Sepse ajo është një frymë e mbarsur nga vetë lideri i Rilindjes.
Ajo është një provë më shumë se është i njëjti Edi Ramë që frymëzon ata lakej. Eshtë i njëjti që i quan ambientalistët “sharlatanë”, që i denigron kundërshtarët “pleh”, që frymëzom gazetarët e tij të shkojnë e të provokojnë mitingjet e shoqërisë civile, apo që nxit mediat e kontrolluara të botojnë gjysëm të vërteta.
Kjo pra, pikërisht kjo frymë dhe kjo mendësi, që po rikthehet si në kohët më të trishta të regjimit të Berishës është lajmi i keq i kryqëzatës kundër Blushit.
Gjithçka tjetër në raportin mes tij dhe socialistëve ka shumë më pak rëndësi.
Ai vërtet mund të ndihet i fyer, i prekur dhe i lënduar se një bandë servilash po e largojnë përdhunshëm nga partia ku hyri dy dekada më parë, por ama, për një gjë ka të drejtë të jetë i lehtësuar. Ata po i vërtetojnë predikimin e tij se çdo ditë që kalon po i bën më të ngjashëm ramistët e sotëm me berishistët e djeshëm.
Diskutime rreth kësaj post